Kryeministri Rama, gjatë fjalimit në Kongresin Elektoral të PS, nuk kurseu akuzat ndaj opozitës. Ai ftoi opozitën të bashkëpunojë.
“Lulzim Bashës dhe atyre që e ndjekin pas i themi që na vjen keq. Premtuat se do jeni zëri i atyre në parlament. Por një ftesë e kam ende për ju. Jeni ju qe keni rrokatisur kokën shqiptare dhe ndërkombëtarëve për reformën zgjedhore dhe votimin elektronik”.
Kryeministri Rama tha se mund të miratojë reformën zgjedhore me deputetët e rinj që kanë marrë mandatet e lëna nga opozita.
“Hajdeni, ulemi ta miratojmë së bashku atë reformë, biem dakord t’i eksperimentojmë në disa zona që në Qershor edhe votimi dhe numërimin elektronik, dhe meqë e keni me shumë qejf temën e shitblerjes së votës, jemi gati të miratojmë në kuvend çdo masë të që mund të propozojë znj. Monika Kryemadhi. Pastaj e kalojmë vetë ne në Kuvend me deputetë e rinj”.
Gjithashtu, Rama tha se vetëm nëse opozita fiton një bashki, atëherë do të kryehen zgjedhjet e parakohshme.
“Ju në zgjedhjet e 30 qershorit fitoni një bashki të vetme më shumë se ne, ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare që në vjeshtë”.