Sikurse paralajmëroi Exit.al që në gusht të vitit 2016, Kryeministrit Rama ka vendosur ndërtimin e një kulle të lartë mbrapa Hotel Tiranës.
Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi dje ndërtimin e një kulle 111 metra të lartë në krah të Hotel Tiranës.
Sipas dokumentave të siguruara nga Gazeta Shqiptare aplikimi për leje ndërtimi është bërë nga Alban Efthimi, pronar i studios Atelie 4. Studioja kryesore me të cilën punon Kryeministri Rama dje si kryebashkiak dhe sot si kryeministër.
Në dokumentat e tenderit thuhet se qëllimi i godinë është zgjerimi i hapësirave të Hotel Tiranës. Ky justifikim duket qesharak pasi godina është katër herë më e lartë se Hotel Tirana.
Në shërbim të kullës do të jetë edhe parkimi nëntokësor në Sheshin Skenderbej — i papërfshirë në masterplanin e Tiranës dhe i bërë publik në mënyrë të befasishme në gusht 2016.
Projekt-kulla në krah të Hotel Tiranës tregon se Kryeministri Rama, në mënyrë arbitrare dhe të paligjshme, po zbaton planin e qendrës së Tiranës të hartuar nga firma franceze Achitechture Studio, i njohur si plani francez.
Plani francez parashihte 10 kulla të larta—mbi 81 metra secila, afërsisht 20-25 katëshe—të cilat do të vendoseshin përqark Sheshit Skënderbej dhe anash aksit të Bulevardit Dëshmorët e Kombit.
Plani francez u miratua në vitin 2010, por zbatimi i tij u ndërpre nga humbja e bashkisë nga Zoti Rama. Pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, Zoti Rama ka rinisur përpjekjet për ndërtimin e kullave të larta që kishte dëshiruar që në krye të herës.
Pushteti gati absolut si kryeministër, ka rritur ambicjet e Zotit Rama. Tani planet e tij për ndërtime të larta dhe “zhvillim” përmes betonizimit përfshijnë ide dhe vende të konsideruara tabu nga të gjithë, të tilla si parku i liqenit, pjesën anas korpusit universitar, stadiumin Qemal Stafa, etj.
Qasja e Kryeministrit Rama është si përherë klienteliste dhe shkatërruese për qytetin. Ato janë, kryesisht, produkt i interesave të klientëve dhe të fantazisë “artistike-arkitekturore” të tij.