Kolaudimi i makinave do të që prej 1 janarit të 2021, pas përfundimit të konçesionit të SGS-së, do të liberalizohet, njoftoi kryeministri Edi Rama të mërkurën
Në një postim në Facebook, Rama njoftoi rregullat e reja për kolaudimin e makinave:
“Me përfundimin në dhjetor të koncesionit absurd të kontrollit teknik të mjeteve rrugore (kolaudimi), ky shërbim, sikundër e kemi premtuar, do t’i kthehet shtetit dhe do të kryhet nga #DPSHTRR dhe nga janari 2021”
Kjo do të shoqërohet me disa lehtësi sipas tij të cilat përfshijnë:
- Mjetet e reja (o KM) nuk do të kolaudohen 3 vitet e para.
- Mjetet e përdorura do ta kolaudohen një herë në dy vjet.
- Taksitë, autoshkollat dhe mjetet që trasnportojnë qytetarë do të kryejnë koaludim një herë në vit.
- Tarifat nuk do të ndryshojnë.
Kontrolli teknik i makinave iu dha me koncesion kompanisë SGS në vitin 2009, për 10 vjet. Qeveria vendosi zgjatjen e konçesioni me 1 vit, deri në 2020.
Prej më shumë se 4 vitesh Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Autoriteti i Konkurrencës i kanë rekomanduar qeverisë që ta hapte tregun e këtij shërbimi për më shumë kompani.
Në një auditim të vitit 2015, KLSH shprehej se:
Liberalizimi me synimin rritjen e cilësisë së shërbimit sipas eksperiencës të shumë vendeve evropiane si dhe të vendeve të rajonit duhet të ishte në qendër të vëmendjes së hartimit të kontratës koncesionare dhe në përputhje me rregullat e tregut të lirë për këtë lloj shërbimi.
Autoriteti i Konkurrencës në vitin 2018 e gjobiti kompaninë SGS me 51 milionë lekë dhe në raport rekomandoi:
Liberalizimin e tregut në drejtim të ofrimit të këtij shërbimi, duke përfshirë edhe ofrimin e shërbimit të servisit, sikurse e ofron pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Europian. Rishikimin e manualit teknik dhe sidomos të afatit të testimit të mjeteve për t’u pajisur me certifikatën e kontrollit teknik.
Me liberalizimi KLSH dhe AK nënkuptojnë licensim të kompanive të tjera.