Rama: Nuk bëhet llaf të na kenë thënë se Shqipëria e ka derën e mbyllur

Rama: Nuk bëhet llaf të na kenë thënë se Shqipëria e ka derën e mbyllur

Kryeministri Edi Rama tha sot se është ende herët të flitet për hapjen e negociatave mes Shqipërsië dhe BE-së, pasi kjo nuk varet vetëm nga arritjet e Shqipërisë, por edhe nga situata në BE. Ai sulmoi mediat dhe opozitën se po dizinformojnë publikun në lidhje me rezultatet e Samitit të Berlinit të organizuar nga Kancelarja Merkel dhe Presidenti Makron.

Në mbledhjen e sotme me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri Rama kritikoi mediat në Shqipëri dhe Kosovë për “marrëzitë dhe ligësitë” e pasqyruara. Ai tha se, në fakt, samiti nuk kishte të bënte fare me integrimin e këtyre vendeve në BE, specifikisht me çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më pas, gjatë fjalës së tij Rama tha se, në fakt, Kancelarja Merkel kishte pasur një takim me të pikërisht për çeljen e negociatave.

“Kancelarja Merkel kishte dy takime bilaterale me mua dhe me Zaevin për çeljen e negociatave, por si edhe në herët e tjera, unë nuk shkova të njihem me vendimin e Gjermanisë në zyrën e Kancelares, se dihet që ky vendim kalon përmes Bundestagut, aq më shumë pa dalë raporti i Komisionit.”

“Kancelarja Merkel dhe nënkryetari i grupit të saj CDU […] jo vetëm që nuk bëhet llaf të na kenë thënë se Shqipëria e ka derën e mbyllur, por na kanë siguruar për disponimin pozitiv në njohjen e meritës së Shqipërisë përmes zyrtarizimit të çeljes së negociatave.”

Kryeministri vijoi me akuzat për mediat dhe opozitën, duke i quajtur “gramafonë dhe fallxhore” që duan ta çojnë vendin në rrugën e shkatërrimit. Rama shtoi se të gjithë shqiptarët e kuptojnë se hapja e negociatave nuk lidhet vetëm me arritjet e qeverisë, por edhe me atë që ndodh në politikën e jashtme të Europës.

Rama tha se vendimi për çeljen ose jo të negociatave nuk do të merret në qershor dhe ka të kuptohej se kjo do të ndodhte në shtator. Arsyeja, sipas tij, është se Parlamenti gjerman ka nevojë për më tepër kohë për të shqyrtuar raportin e Komisionit Europian, që pritet të dalë në fund të muajit maj. Sipas Ramës, dalja më vonë se vitin e shkuar e këtij raporti bëhet për të mos ndikuar zgjedhjet për në Parlamentin Europian.

Megjithëse Franca dhe Gjermania do ta marrin vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë në shtator, pas zgjedhjeve europiane, Rama shprehu besimin se ato nuk do t’ia mbyllin derën e negociatave Shqipërisë.

“Kemi marrëdhënie shumë të mira me Francën e Gjermaninë dhe kam besim se nuk do të na e mbyllin derën këtë vit. Na kanë pritur me shumë respekt, kanë vlerësuar procesin e bërë në rrugën e integrimit. Na kanë siguruar për disponimin e tyre shumë pozitiv përmes zyrtarizimit të çeljes së negociatave.”

Sondazhet për zgjedhjet europiane parashikojnë një rritje të numrit të deputetëve europiane që kundërshtojnë zgjerimin e shpejtë të BE-së. Kjo pritet të rrisë edhe presionin mbi qeveritë e vendeve të BE-së për t’i bazuar vendimet drejt zgjerimit të BE-së akoma më fort në përmbushjen e kritereve.

raportimet e saj nga Samiti i Berlinit, gazeta britanike Financial Times shkruajti se Merkel dhe Makron i kishin dhënë një dush të ftohtë shpresave të vendeve të Ballkanit për t’u integruar së shpejti në BE.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>