Kryeministri Rama ka paralajmëruar shkarkimin e presidentit Meta me parlamentin që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit pas replikës që ky i fundit pati në distancë me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim.
“Ka dy skenarë, i pari është që Ilir Meta që përbetohet se është burrë, të japë dorëheqjen dhe të largohet vetë. Skenari tjetër është që ne të nisim procedurën për shkarkimin e Ilir Metës me Parlamentin tjetër. Për arsyen e gjithë degjenerimit që i ka bërë institucionit të Presidentit”, tha Rama në emisionin “Open”.
Presidenti Meta iu drejtua në një studio televizive ambasadores Kim që “të mos marrë në mbrojtje Edi Ramën”.
Ai i kërkoi diplomates amerikane të mos ndërhyjë në punët e brendshme në Shqipëri dhe e akuzoi se ka ndërhyrë që presidenti të pranojë Ardian Dvoranin në KED për llogari të kryeministrit Rama.
Rama është shprehur se këto deklarata kanë prishur imazhin e Shqipërisë ndërkombëtarisht ndërsa i ka vënë epitete ‘i dehur’ dhe ‘kastravec’ presidentit.
“Të komentosh një njeri që është komplet jashtë binarëve dhe që është një fatkeqësi e madhe shumë për të gjithë ne se Shqipëria është pa President sot, është hedhur nga dritarja dhe gjendet mes luftës politike si një agjitator i ekstremeve të paimagjinueshme. Të arrihet të flitet si një kalama kastravec, kastravec se kalamajtë janë më të përmbajtur, t’i thuash ambasadores boll mbrojte Edi Ramën, nuk e di unë si u katandis kjo punë kështu”, tha Rama.