Rama për WSJ: Përse jam pro një tregu të përbashkët të Ballkanit? – Pikat kryesore

Rama për WSJ: Përse jam pro një tregu të përbashkët të Ballkanit? – Pikat kryesore

Kryeministri Edi Rama, në një artikull për gazetën The Wall Street Journal, ka folur për Samitin e Triestes dhe mundësinë e krijimit të një tregu të përbashkët të vendeve të Ballkanit. Ndër të tjera Kryeministri Rama shkruan:

Liderat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor mblidhen në Trieste, Itali, të mërkurën. Do të jetë një mundësi jo vetëm për të diskutuar mbi rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, por edhe për të mbyllur plagët e të shkuarës, për t’u bërë bashkë rreth një ideje dhe më e rëndësishmja, për të krijuar një platformë për rritjen ekonomike. Midis të tjerave, do të na kërkohet që të mbështesim, krijimin e një zone ekonomike rajonale. Unë do të argumentoj pro saj.

Shqipëria dhe fqinjët e saj kanë vuajtur në dy dekadat e fundit nga korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi, teksa fraksione të ndryshme politike luftojnë për pushtetin vetëm për të “plaçkitur” pasuri.

Shqiptarët kërkojnë që t’i japin fund kësaj një herë e mirë. Ky është mesazhi që na dhanë votuesit në zgjedhjet që u mbajtën një muaj më parë. Shqiptarët mbështetën planin tonë për shtetndërtimin dhe reformat institucionale, plane që përfundimisht do të depolitizojnë qeverisjen dhe do të shpërblejnë mundimet e njerëzve të zakonshëm.

Shpresojmë që së bashku të vazhdojmë të ecim përpara drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Vendimi për të çelur negociatat brenda këtij viti është i mundshëm, pasi të kemi përmbushur angazhimin tonë për të reformuar gjykatat dhe sistemin e drejtësisë, si dhe për të forcuar shtetin e së drejtës.

Shqiptarët dhe fqinjët tanë në Ballkanin Perëndimor kanë vuajtur nga vite të tëra mungese qëndrueshmërie, pjesërisht për shkak të zhvillimit të ulët ekonomik. Ne kemi gjykatës dhe prokurorë të korruptuar pikërisht, sepse ata duan pjesën e tyre të thërrimeve. Politikanët e korruptuar na kanë zaptuar pikërisht për të njëjtën arsye.

Kjo është edhe përparësia e ardhshme e Shqipërisë. Ndërsa do të vazhdojmë të modernizojmë dhe demokratizojmë qeverisjen tonë, gjithashtu do të hedhim bazat për një zhvillim më të madh ekonomik.

Kjo është arsyeja përse këtë javë, në Itali, do të mbështes fuqimisht krijimin e zonës rajonale ekonomike, si një gur themeli që do të lehtësojë procesin e anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian.

Ekzistojnë disa dyshime mbi këtë plan. Megjithatë, mjafton të shohim Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të Europës Qëndrore, marrëveshje në të cilat të gjashtë vendet tona janë firmëtare, për të kuptuar se zona ekonomike mund të ndihmojë, e jo të pengojë progresin tonë.

Përfitimet e një zone ekonomike rajonale janë të menjëhershme. Tregu i Ballkanit Perëndimor prej 20 milionë banorësh është më tërheqës për tregtinë dhe për investitorët, se sa tregu shqiptar me më pak se katër milionë banorë.

Kjo është e rëndësishme për qeverinë time. Ne duam që të çlirojmë potencialin e plotë të kapaciteteve tona kombëtare dhe të inkurajojmë krjimin e më shumë vende të punës dhe prodhimit.

Së fundmi, e gjithë kjo është e rëndësishme për stabilitetin. Nuk mund të kemi stabilitet, pa një ekonomi që rritet. Ka ardhur koha, për të hedhur pas krahëve një herë e mirë mungesën e qëndrueshmërisë që ka karakterizuar për shumë kohë Ballkanin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>