Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha të premten se Porti i Durrësit do të jetë më i madhi në Mesdhe referuar investitorëve.
Ai mbajti një takim elektoral në Durrës ku foli për këto investime.
Ai foli sërish për investimin nga Emiratet e Bashkuara dhe tha se Porti i Durrësit do të transformohet dhe e cilësoi këtë si “një epokë e re për Shqipërinë”.
“Është investim që për shkak të volumit dhe të emrit të kompanisë, do të sjellë një zinxhir interesimesh të atij niveli për Durrësin e gjithë Shqipërinë”, tha Rama.
Rama renditet i teti në listën e PS për deputet në Durrës.
Delegacioni i BE-së në Tiranë i ka kërkuar në Mars qeverisë shqiptare sqarime mbi Marrëveshjen për Bashkëpunim Ekonomik midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshirë koncesionin për Portin e Durrësit i cili iu dha një kompanie nga Emiratet e Bashkuara, Symphony Invest.
Ky është një investim i përmendur shpesh nga qeveria, i cili për shkak të një darke në Dubai krijoi dhe një debat publik.
BE kërkoi nga Shqipëria që të vlerësojnë përputhjen mes marrëveshjes së koncesionit me Marrëveshjen e Asociimit të Stabilizimit të BE-së, në të cilën Shqipëria është pjesë.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në përcakton kushte të rrepta të konkurrencës dhe transparencës për koncesionet dhe investimet në vend.
Kryeministri Edi Rama firmosi më 26 nëntor në Abu Dabi me princin e kurorës marrëveshjen për ndërtimin e 2000 apartamenteve dhe portin e ri turistik të Durrësit.
Emiratet e Bashkuara u zotuan se do t’i japin vendit tonë 70 milionë euro për procesin e rindërtimit, në Konferencën e Donatorëve.