Rama: Qeveria ka shpallur Vjosën Park Kombëtar, Meta të kishte mbrojtur Valbonën

Nga Exit News
Rama: Qeveria ka shpallur Vjosën Park Kombëtar, Meta të kishte mbrojtur Valbonën

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria e ka shpallur Vjosën Park Kombëtar dhe ka refuzuar ndërtimin e hidrocentraleve mbi të.

Në një postim në Twitter, Rama shkruan:

“Qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë!”

Ai shtoi se është dakort me Presidentin Meta “se e ardhmja nuk ësgtë shkatërrimi” duke thekuar se Meta mund të kishte mbrojtur Valbonën kur ishte zëvendës kryeministër.

Në vitin 2016, tre organizatat mjedisore EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur dhe 38 qytetarë aktivistë paditën qeverinë për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë në Gjykatën Administrative.

Komisioni Europian ka shprehur vazhdimisht kundërshtinë e tij për ndërtimin e hidrocentraleve. Në Raportin e Progresit 2014, Komisioni i kërkoi qeverisë të rishikojë planet për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë, pasi ato do të dëmtonin një prej ekosistemeve të fundit të paprekur dhe natyrorë të mbetur në Evropë.

Parlamenti Europian (PE) i kërkoi qeverisë shqiptare të ndalojë ndërtimet e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, veçanërisht në parqet kombëtare.

PE-ja miratoi në prill të 2016, një rezolutë për Shqipërinë, në të cilën flitet, ndër të tjera dhe për shkatërrimin e parqeve kombëtare nga hidrocentralet.

Gjithashtu dhe aktori Leonardo DiCaprio i bëri thirrje qeverisë të tërhiqej nga ky projekt.

Por, pavarësisht kundërshtimit të qytetarëve dhe Këshillit të Europës për të mos ndërtuar hidrocentrale në Vjosë, Kryeministri Rama nuk u tërhoq nga ndërtimi i tyre. Në prill 2017 u shpallën fitues të tenderit për hidrocentralin e Poçemit dy kompani turke pa përvojë në fushën e energjisë dhe me kapacitete modeste.

Pavarësisht shpalljes se kompanive fituese të tenderit, deri më tani, siç Exit.al ka shkruar vazhdimisht, çdo gjë rreth projektit është bërë në mënyrë jotransparente dhe arbitrare nga qeveria. Për më shumë lexoni këtu dhe këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>