Kryeministri Edi Rama ka prezantuar të enjten një pjesë të programit elektoral për të rinjtë në fushën e dixhitalizmit. Ai ka shfrytëzuar aktivitetin e inagurimit të nisjes së punimeve për rindërtimin e Piramidës në Tiranë, për të premtuar “rritje e numrit të koduesve. Dhjetra mijëra të rinj në 10 vjet të jenë kodues”, si pjese e progarmit elektoral ‘Shqipëria 2030’.
Piramida, u shpreh Rama, do të jetë një “hapësire e re, ku shteti e mbështet nismën, për aftësimin cilësor të të rinjve për të qënë pjesë e tregut të dixhitalizimit”.
Ai premtoi se në çdo qytet do të ngrejë “një program për më të rinjtë .. në botën dixhitale për të fituar në muaj shumë më tepër se çdo të fitonin në çdo punë tjetër jo vetëm në Shqipëri por edhe në Gjermani”.
Gjithashtu, në fjalën e tij Rama sulmoi projektet e qeverisë Berisha për kthimin e Piramidës në Teatër Kombëtar e më pas në Parlament.
“Me kalimin e viteve Piramida u kthe në simbolin e “tokës së xanun” mes shteti dhe aktorëve të ndryshëm të sipërmarrjes… Më pas lindi ideja irracionale për të kthyer këtë territor në territorin e parlamentit të ri që çoi në acarim brezin e ri që nuk ishte aspak i lidhur me kohën e dikurshme …”, tha Rama.
Brenda godinës së rindërtuar me financimin e Fondit Amerikan të Zhvillimit (ADF) do të ngrihet një qendër inovacioni dhe teknologjie.
Projektin për rikonstruksionin e saj e ka bërë arkitekti Winy Maas dhe do të ndërtohet nga kompanitë Fusha shpk dhe Edil-Al. I gjithë procesi është bërë në mungesë të plotë transparence dhe me manovra për të shmangur tenderimet publike dhe garën.
Në janar 2017, arkitekti holandez i MVRDV, Ëiny Maas, mori pjesë në një diskutim nga Bashkia Tiranë organizuar tek Piramida për planet për rikonstruksionin e Piramidës.
Në qershor 2018, u bë publik lajmi se MVRDV “mori” tenderin për rindërtimin e Piramidës pa ndonjë konkurs publik apo tender.
Ndërsa, kriteret përzgjedhëse të hartuar nga bashkia për tendering e ndërtimit ishin subjektive dhe kufizonin konkurrencën.
Kriteri kryesor përzgjedhës i tenderit ishte që kompanitë konkuruese të kenë kryer më parë një punë të ngjashme me kosto sa 50 përqind e fondit për ndërtimin e piramidës, pra rreth €7 milionë. Këtë kusht nuk e plotësojnë asnjë prej dy kompanive fituese të tenderit.