Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet t’i zgjidhin mes tyre mosmarrveshjet për çështjen e gjuhës dhe kulturës, sipas kryeministrit Rama.
Në konferencën për shtyp në fund të takimit me homologun bullgar, Rama është shprehur se Shqipëria respekton qëndrimin e palëve dhe bëri thirrje që ato të vazhdojnë dialogun për të gjetur një zgjidhje.
Rama pranoi gjithashtu se Shqipëria do të ecë sëbashku me Maqedoninë e Veriut në procesin e integrimit në BE, duke nënkuptuar kështu dëshirën që vendet të mos ndahen në rast se Shkupi bllokohet sërish me veto nga Sofia.
“Do të vazhdojmë të ecim së bashku me Maqedoninë e Veriut por shtrohet pyetja sa kohë kërkon e sa gjatë mund të presim. Siç e thashë aktualisht jemi në rregull edhe pse është e qartë që kemi përmbushur kushtet”, tha Rama duke shtuar se “asgjë nuk na ndan nga konferenca e parë ndërqeveritare”.
Kryeministri bullgar Stefan Yanev shprehu mbështetjen e qeverisë së tij për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.
Ai kërkoi që vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut të mos shihet si shenjë bllokimi por kërkoi mirëkuptim deri në zgjidhjen e çështjeve nga dy vendet.
Vitin e kaluar Sofia bllokoi mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare të BE me Maqedoninë e Veriut pasi akuzoi Shkupin se nuk po i përmbahet Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar në vitin 2017.
Bullgaria kërkon që Maqedonia e Veriut të pranojë që gjuha maqedonase është një dialekt perëndimor i gjuhës bullgare. Dy vendet kanë pretendime mbi përkatësinë etnike të disa prej figurave më të shquara historike dhe kulturore që të dyja palët i llogarisin si të vetat.
Bllokimi i Maqedonisë së Veriut ka ngritur çështjen nëse procesi i saj integrues duhet të ndahet apo jo nga Shqipëria. Për këtë qëndrimet janë të ndara brenda BE-së pasi ka nga ata që mendojnë se ulja e Shqipërisë në tryezën e negociatave pa Maqedoninë e Veriut do të minonte besimin e maqedonasve tek integrimi europian duke i hapur rrugën fuqive alternative në rajon.