Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pavarësisht problemeve me krimin dhe korrupsionin, Shqipëria ka bërë hapat e duhur për të merituar hapjen e negociatave me BE-në.
Duke folur në Këshillin e Atlantikut në rolin e kryetarit të Kryesisë së OSBE-së, Rama tha se Shqipëria ka përparuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe se BE është treguar hipokrite ndaj Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit europian:
“Ne kemi probleme me krimin dhe korrupsionin, me transparencën e institucioneve, por të mos kishim këto probleme nuk do të ishim sot duke kërkuar të bëhemi pjesë e BE.
Këto probleme kanë ardhur duke u përmirësuar krahasuar me vite më parë, pasi është punuar shumë të ecim përpara dhe të krijojmë mekanizma të mirëfunksionimit sipas rregullave të BE. Reforma në drejtësi është një shembull.”
Kryeministri Rama theksoi se BE është treguar hipokrite ndaj Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit europian:
“Integrimi nuk ka të bëjë më me ne, por me vetë vendet anëtare dhe këto ditët e fundit e treguan këtë gjë.
Sigurisht ka një nivel hipokrizie pasi do të ishte më e sinqertë po të thoshin ju keni bërë progres, por ne nuk jemi gati për ju në këtë moment, kjo do të ishte më e lehtë.
Ne kemi probleme por këtu nuk po flasim për t’u bërë vend anëtar por për të hapur negociatat dhe këtë gjë Shqipëria i ka bërë hapa e duhur.
Këshilli i Europës rekomandoi hapjen e negociatave pasi u bazua në faktet e shkruara në letër, por disa preferojnë atë lexojnë atë që shkruhet në gazetë.”
Duke folur për minishengenin Ballkanik, Rama tha se ai është si pregatitje për tu bërë anëtarë të BE-së:
“Nuk është një alternative karshi BE, kjo është të bëjmë me njëri-tjetrin atë që nuk mund të bëjmë me vendet e BE.
Kjo është një përgatitje për tu bërë anëtarë të BE.
Nuk mund të shkojmë kurrkund nëse mbetemi në tregje të vogla dhe ta shohim njeri tjetrin me syrin se çfarë ka ndodhur në të kaluarën.”