Kryeministri Edi Rama mbrojti të mërkurën vendimin për të lejuar kthimin e shqiptarëve nga jashtë shtetit me detyrim mbylljen për 14 ditë në hotele të sajuara si karantinë, koston e së cilës ata duhet ta paguajnë vetë.
Për të mbështetur vendimin, Rama solli në shembull Singaporin dhe këmbënguli se kostoja që qytetarët do të paguajnë “do të jetë e arsyeshme”.
Me një postim në Facebook Kryeministri arsyetoi karantinën e detyrueshme me kthimin e 500 studentëve në Singapor ku mbyllja e tyre në shtëpi infektoi familjarët dhe përhapi sërish virusin.
Megjithatë Rama nuk arsyetoi faktin se përse qytetarët duhet ta shlyejnë vetë koston e vendosjes në karantinë të detyrueshme.
Rama u shpreh vetëm se kostoja do të jetë e arsyeshme:
“[…] përpara se sa të shajnë e të mallkojnë a thua se kjo është punë qejfi apo dëshire e qeverisë […] të bëjnë edhe njëçikë durim derisa ta shohin konkretisht paketën e riatdhesimit!
I siguroj që paketa do të jetë shumë e arsyeshme për ta dhe qeveria do të bëjë gjithçka mundet që kostoja financiare e riatdhesimit, të jetë optimale brenda kushteve ku po jetojmë e po veprojmë të gjithë.”
Të martën Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, njoftoi se prej 18 prillit do të rinisnin fluturimet me Romën dhe më pas me vende të tjera.
Prej së enjtes, shqiptarët e mbetur jashtë kufijve duhet të blejnë në web-faqen e Air Albania paketat e fluturimit dhe hotelerisë.
Qeveria është shprehur se për karantinën ka ndërmjetësuar hotele në Durrës, njësoj siç veproi me të pastrehët e tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Nuk është e qartë se përse qeverisë iu desht 1 muaj për të marrë përsipër një zgjidhje të tillë, ndërkohë që në ditët para epidemisë deklaronte se kishte të gatshme struktura për karantinë.
Javën e shkuar rreth 100 emigrantë të kthyer nga Greqia, u detyruan të viheshin në karantinë me shpenzimet e tyre në hotele të Korçës, të cilat kërkojnë një kosto prej 25 000- 35 000 lekë për person.
Kthimi i tyre u pamundësua për rreth 5 ditë. Qeveria i la në zonën neutrale të kufirit me Greqinë edhe pse pala greke i kishte lënë të ktheheshin.