Kryeministri Edi Rama sqaroi të martën se përse baret janë hapur dhe univeristet janë mbyllur. Gjatë komunikimit live në Instagram, ai tha se universitetet janë quajtur kudo si vatër e nxehtë dhe se strategjia që përdori qeveria shqiptare është përdorur kudo.
Sa i takon bareve ai tha se mbyllja e tyre ka kosto ekonomike dhe nuk kemi pse t’i fshihemi këtij argumenti.
“Universtietet janë konsideruar vatra me koefiçent të madh rreziku edhe për shkak të numrave, bëhet fjalë për numra të mëdhenj në mjedis të vogël, dhe sigurisht që këtu ka edhe një balancë tjetër për t’u ruajtur. Ekonomikisht, s’kemi pse i fshihemi këtij argumenti. Uroj të jemi në fund të maratonës, por askush nuk e di kur është fundi i saj. Komiteti i ekspertëve është në kontakt të vazhdueshëm”, tha Rama.
Pyetjes se nëse pandemia është menaxhuar si duhet apo jo, Rama iu përgjigj duke thënë se ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë, por nuk përmendi asgjë konkrete.
“Patjetër që nuk ka asgjë përfekte për sa kohë është punë e njeriut dhe me siguri cdo gjë pasi e ke kaluar dhe sheh me sytë e reflektimit mund të bëhet më mirë. Ka gjëra që mund të bëheshin më mirë, edhe në këtë drejtim, por përgjithësisht kemi qenë në lartësinë e duhur të kësaj sfide”, tha ai.