Rama sulmon magjistratët: Jeni organizatë kriminale, ‘anti-KÇK’ do iu hetojë pasurinë

Rama sulmon magjistratët: Jeni organizatë kriminale, ‘anti-KÇK’ do iu hetojë pasurinë

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot prokurorët e gjyqtarët se ky do të jetë një vit i vështirë për ata që e kanë vënë pasurinë e tyre nga burime të paligjshme.

Duke lajmëruar nismën ligjore anti-KÇK (kap ça të kapësh), Rama i akuzoi ata si një organizatë kriminale brenda sistemit të drejtësisë.

Rama theksoi se ka ardhur koha që të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë dhe detyrën.

Gjatë ceremonisë së 107-vjetorit të Policisë së Shtetit, Rama deklaroi:

“Shoqëria jonë po përballet me një organizatë kriminale brenda sistemit të drejtësisë, e rrezikshme e kriminale, e përbërë nga prokurorë e gjykatës që nuk e kalojnë dot vettingun e i janë bashkuar motos KÇK [Kap ça të kapësj] duke dhënë vendime skandaloze e në cënim të sigurisë kombëtare.

Për këtë ne kemi ndërmarrë nismën e një pakete ligjore duke e kolauduar edhe me BE-në. Në ditët në vijim do ta kthejmë në një bazë ligjore për të ndërmarrë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar, ndaj të gjithë atyre që janë dënuar, janë akuzuar, por i kanë shpëtuar dënimit si rezultat i KÇK-së.”

Rama theksoi se ka ardhur koha që magjistratët të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë e tyre.

Plani i Kryeministrit për nismën anti-KÇK ka nisur që në nëntor 2019. E ashtuquajtura “Paketa Speciale Anti-KÇK” parashikon krijimin praktikisht të një policie dhe hetuesie personale të Kryeministrit.

Exit News ka parë dhe analizuar një draft të paketës ligjore, përmbajtja e së cilës krijon shqetësime serioze.

Kryeministri e ka propaganduar këtë paketë si një hap të rëndësishëm në “luftën kundër terrorizmit, mafies e krimit të organizuar, ky mekanizëm do shkatërrojë themelin e foleve të krimit”.

Por në realitet, duket se paketa ka synimin t’i japë një njësie speciale pranë Kryeministrit, jashtë sistemit të drejtësisë dhe krejtësisht të pambikëqyrur, kompetencat e një policie sekrete dhe shërbimi inteligjence—pushtet që do të krijojë hapësirë të jashtëzakonshme për abuzimin dhe përdorimin e saj politik.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>