Në Tiranë nisi të dielën vaksinimi i personave mbi 80 vjeç, ku të parët ishin disa personalitete të jetës publike si Alfred Moisiu, Margarita Xhepa, Piro Milkani dhe Sherif Merdani.
Kryeministri Rama ishte i pranishëm në stadiumin “Air Albania” kur nisi vaksinimi dhe sulmoi presidentin Meta gjatë fjalës së tij për mediat.
Rama tha se personalitetet mbi 80 vjeç janë përzgjedhur për t’u vaksinuar në shenjë “shprehje e mirëkuptueshme e një përkujdesjeje për këta njerëz” dhe shtoi se “nuk duhet të presim që të ndahen nga jeta për t’i dhënë dekorata, siç është bërë një trend qesharak në Presidencën e Republikës”.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se sot do të vaksinohen 80 ë moshuar mbi 80 dhe 90 vjeç.
Kryeministri deklaroi se nuk do të kalohet në vaksinimin e shtresave të tjera të shoqërisë pa mbaruar me mjekët, infermierët dhe personat mbi 80 vjeç.
Rama ripërsëriti edhe njëherë se 140 shtete nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës dhe theksoi se Shqipëria do të mbyllë vaksinimin brenda 14 muajve.