Kryeministri Rama, pas sulmeve të vazhdueshme ndaj LSI-së e ish-kryetarit të saj Ilir Meta, sot filloi sulmet dhe ndaj Vangjel Dules e PBDNJ-së.
Gjatë një takimi elektoral në Xara të Sarandës, pjesë e qarkut të Vlorës ku PBDNJ në vitin 2013 fitoi 5,22 për qind të votave, Zoti Ramai i kërkoi qytetarëve të mos votojnë për Dulen dhe PBDNJ.
“Si mund ti jepet votë Vangjel Dules, mund të ma thoni këtë? Lufta për tu bashkuar për të drejtat e njeriut iku me prodhimet e kalbura, mbeti vetëm Vangjeli që do karrige në Parlament. Asnjë votë Vangjel Dules, se është vota një verbërie të pashoqe.”
Sipas zotit Rama, Vangjel Dule, i cili u largua nga koalicioni qeverisës pasi në të u fut dhe Shpëtim Idrizi e PDIU, nuk ka interes të përfaqësojë minoritetet, por të ndajë përfitimet e pushtetit.
“44 muaj kryeministër ky njeri [Vangjel Dule] nuk ka ardhur të më kërkojë një investim, të më kërkojë një zgjidhje për një problem njerëzish. Vetëm në parlament për të nxitur sherr etnik, konflikte për të folur për gjëra që nuk kanë çi duhen fare Vangjelit. Nuk mund të vazhdojmë me historira të vjetra partish që marrin vota e pastaj mblidhen në Tiranë për ta ndarë shtetin si tepsi, njëri do blektorinë, tjetri bujqësinë, ujin, dritat.”
Duket se retorika e Zotit Rama gjatë gjithë fushatës elektorale është përqendruar në sulmin ndaj partive të vogla që sipas tij, “i kanë hypur në kurriz PS-së dhe nuk e lënë të bëjë shtet”.
Zoti Rama nuk la pa përmenduar as “timonin e qeverisjes” që do të mbrojë çdo reformë që Qeveria Rama ka bërë deri më tani e do të ndërmarrë reforma të tjera “shtet-formuese”:
“E kuptoni cfarë kërcënimi është që nëse PS nuk ka timonin e vetme do të jemi nën shantazh për të anuluar ligjin e arsimit të lartë që është një nga sukseset më të mëdha, historike?! Duhet marrë një vendim, populli me votë e merr. PS do ta ndërtojë edhe administratën e shtetit siç po ndërtojmë pallatin e dejtesisë.”