Kryeministri Rama ka zhvilluar sot konferencën e fundvitit me gazetarët.
Gjatë saj ai ripërsëriti tezën e hedhur disa herë në të shkuarën se në Shqipëri ka vende të lira pune, por shqiptarët nuk i kërkojnë ato. Ai u pohoi se ka mbi 36 mijë vende pune të lira, pa dhënë asnjë detaj si ka dalë kjo shifër dhe ku janë këto vende bosh.
Dembelizmi dhe paaftësia e shqiptarëve është një nga tezat kryesore që Kryeministri dhe ministrat e tij kanë përdorur gjatë vitit për t’iu shmangur problemeve ekonomike që kalon vendi.
Por ky argument është i pabazë dhe nuk qëndron, sikurse kemi shpjeguar më parë këtu dhe këtu. Krahu i punës është mall që tregtohet si çdo mall tjetër në ekonomi. Mungesa e mallit në treg shkakton rritjen e çmimit të tij në treg. Në rastin e krahut të punës, kjo duhet të shkaktonte rritje të pagës në mënyrë që të thithë në tregun e punës ata punëtorë që nuk preferojnë të punojnë.
Por të dhënat zyrtare të qeverisë, nga ana e INSTAT, tregojnë se pagat në të gjithë sektorët e ekonomisë janë të pandryshuara prej disa vitesh dhe nuk kanë ndryshuar as edhe gjatë vitit 2016. Madje pagat reale—paga e zhveshur nga efektet e inflacionit—ka pësuar rënie gjatë viteve të fundit. Rritja e tyre në sektorin publik nuk kanë mbuluar normën vjetore të inflacionit, ndërsa në sektorin privat, përgjithësisht, nuk ka patur rritje pagash në 2-3 vitet e fundit. (Në të vërtetë, qeveria nuk i rriti pagat në sektorin publik për tre vjet dhe vendosi ta bëjë këtë vetëm 3 muaj para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, me një rritje të pamjaftueshme për teë mbuluar ge4rryerjen e tyre nga inflacioni i tre viteve.)
Treguesit e pagave nuk janë të vetmet që nuk mbështesin hipotezën e Kryeministrit. Treguesit e papunësisë po ashtu shfaqin një treg pune anemik, megjithëse këto të dhëna kanë qenë përherë problematike për shkak të problemeve me informalitetin.
Gjithsesi, cilido tregues të analizohet, fabula e preferuar ekonomike e Kryeministrit është po aq e pavertetë në fund të 2016 sa ç’ishte në fillim të tij, pra krejtësisht e pavërtetë.
p.s Një version më teknik i artikullit rreth pagave dhe teorisë ekonomike gjendet këtu.