Kryeministri vazhdon të gënjejë për papunësinë

Nga Johannes Estrada
Kryeministri vazhdon të gënjejë për papunësinë

Kryeministri Rama ka zhvilluar sot konferencën e fundvitit me gazetarët.

Gjatë saj ai ripërsëriti tezën e hedhur disa herë në të shkuarën se në Shqipëri ka vende të lira pune, por shqiptarët nuk i kërkojnë ato. Ai u pohoi se ka mbi 36 mijë vende pune të lira, pa dhënë asnjë detaj si ka dalë kjo shifër dhe ku janë këto vende bosh.

Dembelizmi dhe paaftësia e shqiptarëve është një nga tezat kryesore që Kryeministri dhe ministrat e tij kanë përdorur gjatë vitit për t’iu shmangur problemeve ekonomike që kalon vendi.

Por ky argument është i pabazë dhe nuk qëndron, sikurse kemi shpjeguar më parë këtu dhe këtu. Krahu i punës është mall që tregtohet si çdo mall tjetër në ekonomi. Mungesa e mallit në treg shkakton rritjen e çmimit të tij në treg. Në rastin e krahut të punës, kjo duhet të shkaktonte rritje të pagës në mënyrë që të thithë në tregun e punës ata punëtorë që nuk preferojnë të punojnë.

Por të dhënat zyrtare të qeverisë, nga ana e INSTAT, tregojnë se pagat në të gjithë sektorët e ekonomisë janë të pandryshuara prej disa vitesh dhe nuk kanë ndryshuar as edhe gjatë vitit 2016. Madje pagat reale—paga e zhveshur nga efektet e inflacionit—ka pësuar rënie gjatë viteve të fundit. Rritja e tyre në sektorin publik nuk kanë mbuluar normën vjetore të inflacionit, ndërsa në sektorin privat, përgjithësisht, nuk ka patur rritje pagash në 2-3 vitet e fundit. (Në të vërtetë, qeveria nuk i rriti pagat në sektorin publik për tre vjet dhe vendosi ta bëjë këtë vetëm 3 muaj para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, me një rritje të pamjaftueshme për teë mbuluar ge4rryerjen e tyre nga inflacioni i tre viteve.)

Treguesit e pagave nuk janë të vetmet që nuk mbështesin hipotezën e Kryeministrit. Treguesit e papunësisë po ashtu shfaqin një treg pune anemik, megjithëse këto të dhëna kanë qenë përherë problematike për shkak të problemeve me informalitetin.

Gjithsesi, cilido tregues të analizohet, fabula e preferuar ekonomike e Kryeministrit është po aq e pavertetë në fund të 2016 sa ç’ishte në fillim të tij, pra krejtësisht e pavërtetë.

p.s Një version më teknik i artikullit rreth pagave dhe teorisë ekonomike gjendet këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>