Kryeministri Edi Rama, ai maqedonas Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç diskutuan dje në Ohër mbi thellimin e bashkëpunimit ekonomik në Ballkan përmes krijimit të “Mini-Shengenit të Ballkanit”.
Në këtë takim të dytë mes tre liderëve, nuk mori pjesë presidenti i Kosovës Thaçi, i cili e refuzoi ftesën. Zoti Thaçi deklaroi se vendi i tij nuk mund të jetë pjesë e një nisme të tillë për sa kohë që Serbia dhe Bosnja-Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërsa liderët e Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës nuk morën pjesë, por dërguan përfaqësuesit e tyre në takim.
Duke e quajtuar nismën e tyre “Mini-Shengeni i Ballkanit”, Rama, Zaev e Vuçiç miratuan një listë me 9 pika, e cila fokusohej tek sqarimi se përse arritja e objektivave të të ashtuquajturit “Mini-Shengeni i Ballkanit’ do të jetë një hap drejt integrimit të rajonit në BE.
Presidenti Vuçiç tha se kjo nismë ka si qëllim bashkëpunimin ekonomik dhe lëvizjen e lirë të njerëzve mes shteteve të rajonit:
“Kjo paraqet të ardhme për shtetet dhe popujt tanë. Këtu nuk ka asnjë Jugosllavi, por vetëm jetë më të mirë për qytetarët tanë, më normale, më kualitative, që më lehtë të lëvizim, ambient për jetë normale, e jo për konfrontime e urrejtje.”
Ndërsa Kryeministri Rama shprehu habinë për mospjesëmarrjen e Kosovës në takim për shkak të pranisë së Serbisë e Bosnje-Hercegovinës, duke theksuar se Kosova në pesë e vitet e fundit ka marrë pjesë në nisma të ndryshme rajonale e ndërkombëtare, pjesë e së cilës kanë qenë dhe këto vende.