Ramën e demaskon Griselda e Elvis Roshit

Ramën e demaskon Griselda e Elvis Roshit

Për të mbrojtur pushtetin e tij nga kritikat e opozitës dhe qytetarëve të tij, kryeministri Edi Rama ka përqafuar tezën se kritikat ndaj tij janë kritika ndaj Shqipërisë. “Hedhje balte mbi Shqipërinë”, “folje kundër Shqipërisë”, “tradhti ndaj Shqipërisë” janë përshkrimi që Rama u ka bërë vazhdimisht kritikave të opozitës për gjendjen e krimit dhe drogës dhe veçanërisht lidhjeve të qeverisë me krimin.

Kulmi i kësaj propagande janë akuzat e tij se qëndrimet skeptike të vendeve europiane ndaj rezultateve të tij në luftën kundër krimit dhe korrupsionit vinë për shkak të ndikimit të shpifjeve që opozita bën për gjendjen në Shqipëri.

Me këtë qëndrim, të propaganduar nga e gjithë makina e tij e propagandës, Rama përpiqet që të ndezë ndjenjat e patriotizmit kundër kritikëve të tij.

Madje për të treguar që ai beson vërtet në këtë qëndrim, në një intervistë të javës së shkuar me France 24, pyetjes së gazetares për plagosjen e gazetarit Blendi Kasmi nga policia, ai iu përgjigj:

“Mendoj se nuk është një lajm që duhet të zërë faqet e para të gazetave ndërkombëtare. Është jeta e brendshme e vendit, opozita është duke protestuar dhe ka një qeveri që është në fuqi.”

Insistimit të gazetares për kërkesat e njerëzve për dorëheqjen e Ministrit të tij të Brendshëm Rama iu përgjigj:

“Po kur flas në një gjuhë të huaj nuk flas ndonjëherë për opozitën sepse mendoj se është jeta demokratike e Shqipërisë.”

Ky qendrim i mbylljes së gojës ndaj problemeve të të drejtave të njeriut, të dhunës policore, të protestave kundër qeverisë, të krimit dhe të korrupsionit  është anti-demokratik dhe anti-europian dhe meriton të diskreditohet si i tillë.

Por mbi të gjitha, është një qëndrim hipokrit i Edi Ramës, për t’i shërbyer interesave të pushtetit të tij. Demaskimi më i madh i këtij qëndrimi është vetë qendrimi i tij dhe shumicës socialiste në rastin e njohur si “çështja Griselda” në fund të vitit 2011.

Griselda Roshi, e shoqja e ish-Kryebashkiakut të sapozgjedhur të Kavajës Elvis Roshi, kishte stimuluar shtatzaninë e saj dhe pasi kishte mbajtur disa muaj një jastëk për të treguar barkun e fryrë, sajoi një rrëmbim nga persona të panjohur dhe pretendoi që ata i kishin hequr forcërisht fëmijën nga barku dhe ja kishin rrëmbyer.

Pa kaluar pak orë pasi, Griselda Roshi i tha këtë gënjeshtër familjes së saj, Partia Socialiste u hodh në sulm kundër qeverisë dhe ish-Kryeministrit Berisha duke i akuzuar ata direkt për këtë akt (të shtirur) barbar, madje duke dhënë si motiv hakmarrjen e tij ndaj Elvis Roshit që kishte fituar në Kavajë pak muaj më parë.

Griselda e lëshoi lajmin e saj pa gdhirë, por pa kaluar pak orë, Erion Veliaj u dërgoi një email mbi 100 ambasadorëve, europarlamentarëve, komisionerëve të BE-së, përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit dhe  të qeverive europiane, organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, natyrisht në gjuhën angleze:

 Miq,

Një lajm i trishtuar na ka shokuar të gjithëve ne në PS. Natën e kaluar, gruaja shtatzënë e kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, u rrëmbye në një qendër tregtare në Tiranë. Pasi është keqtrajtuar barbarisht nga rrëmbyesit, ajo është dërguar në një vend të panjohur, ku i kanë hequr fëmijën. Në orën 4 të mëngjesit, e mbuluar nga gjaku, znj. Roshi është lënë afër shtëpisë së saj në Kavajë (50 kilometra larg kreqytetit).

Nuk ka ende ndonjë njoftim nga policia. Kavaja ka qenë zona elektorale ku është zgjedhur Berisha deputet për 20 vjet. Socialistët fituan në Kavajë për herë të parë më 8 maj, dhe kjo është konsideruar si fitorja më simbolike e zgjedhjeve. Gjatë fushatës elektorale, z.Roshi dhe shtabi i tij kanë marrë kërcënime për shkak të garimit të tij për postin e kreut të Bashkisë. Kreu i PS, Edi Rama, do të lëshojë një deklaratë shtypi pas një ore……

Duke pasur parasysh rrethanat shumë të rënda të situatës në Kavajë, ky njoftim do të jetë i shkurtër dhe më tepër informacion politik do t’ju japim nesër.

Faleminderit
Erion

Pasi të nesërmen u mor vesh se e gjitha ishte një sajesë, as Veliaj dhe askush nuk i njoftoi e aq më pak të kërkojë ndjesë të gjithë atyre përfaqësuesve të huaj, të cilëve ju dërgua mesazhi që akuzonte kundërshtarin politik për një krim barbar në gjuhën angleze.

Disa ditë më vonë në takimin e përbashkët parlamentar BE-Shqipëri në Bruksel, deputetja Tanja Fajon e ngriti problemin e Griseldës dhe shprehu shqetësimin e thellë të Parlamentit Europian për këtë akti mizor, duke nënkuptuar akuza ndaj qeverisë.

Socialistët që nuk e shajnë kurrë Shqipërinë nuk e kishin njoftuar Fajonin as në anglisht e as në shqip. Sepse ishin në opozitë dhe në opozitë i njohin rregulla të tjera vetes.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>