Shqipëria është burim domethënës i prodhimit të bimës së kanabisit, të trafikuar në vendet fqinje dhe në Evropën perëndimore dhe qendrore, shkruan raporti i Frontex, misioni i BE-së për ruajtjen e kufijve, për vitin 2019.
“Vendet e kultivimit në natyrë dhe konfiskimet e shumta të raportuara në EUROSUR nga shtetet anëtare të BE-së gjatë mbikëqyrjes së kufijve konfirmojnë se Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria, në veçanti, janë burimi i prodhimit të bimës së kanabisit të trafikuar në vendet fqinje përmes rrugëve tokësore ose në Evropën Perëndimore dhe Qendrore përmes Detit Adriatik, duke përdorur varka me shpejtësi ose tragete”, shkruan raporti.
Shqipëria ende është pjesë e listës së vendeve me numër të lartë të emigrantëve me dokumenta fallso në BE. Pavarësisht se numrat e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë në BE kanë rënë, Shqipëria është ndër 10 vendet me numrin më të lartë të riatdhesimeve nga BE, në mënyrë vullnetare ose të detyruar, sëbashku me Ukrainën dhe Marokun.
Në 2019, rreth 71 100 persona janë kthyer nga vendet anetarë ose nga Frontex, dhe pjesa më e madhe e tyre ishin shqiptarë, marokenë, dhe algjerian.
Gjatë 2019, 3 mijë shqiptarë të paligjshëm në BE u kthyen në Shqipëri në mënyrë vullnetare. Sipas Europolit, pjesa më e madhe e emigrantëve në 2019 ishin nga Ballkani Perëndimor. Mënyra më e shpesht e emigrimit ishte hyrja në një nga vendet e BE-së me mjete klandestine shpesh herë të rrezikshme për jetën, duke u fshehur ose qendruar të mbyllur në kamiona, ose makina të ndryshme.
Rruga e Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë një nga rrugët më të ndjekura nga emigrantët e paligjshëm për të kaluar nga Turqia në Evropën Perëndimore. Kjo rrugë përdoret kryesisht nga meshkuj të ri, të cilët përbëjnë edhe 94 përqind të të kapurve në kufijtë e BE-së gjatë 2019.
Gjatë 2019, është vërejtur edhe një rritje e numrit të emigrantëve gra dhe fëmijë. Europoli ka marrë raporte shqetësuese për rrëmbimin e emigrantëve vulnerabël, përfshirë edhe minorenë të pashoqëruar, kur ata mbërrijnë në BE.