Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor mbi luftën kundër lëndëve narkotike. Raporti, i cili i paraqitet Kongresit të SHBA-ve, pasqyron përpjekjet e disa vendeve për të luftuar trafikun e drogës, në kuadër të ligjit për ndihmën ndaj vendeve të tjera.
Ndër vendet e mbuluara nga raporti, është edhe Shqipëria. Konstatimet kryesore të raportit për Shqipërinë gjatë vitit 2015, janë:
- Shqipëria mbetet vend kryesor i prodhimit të marijuanës;
- Shqipëria është rrugë tranziti për trafikimin e kokainës dhe heroinës në tregjet europiane;
- Autoritetet shqiptare, në bashkëpunim të vazhdueshëm me policinë italiane, kanë bërë një punë mbresëlënëse për arrestime dhe sekuestrime kundër prodhimit të drogës dhe rrjeteve të trafikimit që veprojnë në vend;
- Qeveria ka realizuar 31 operacione në bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, kryesisht në bashkëpunim me autoritetet italiane;
- Janë sekuestruar rreth 6,9 tonë marijuanë, rreth 55 kg heroninë dhe rreth 26 kg kokainë;
- Janë shkatërruar rreth 690 mijë rrënjë kanabis në një sipërfaqe prej 44 hektarësh;
- Policia shqiptare ka arrestuar 827 persona për vepra të lidhura me trafikimin e drogës;
- Prokuroria për Krime të Rënda ka hetuar 188 raste për trafik lëndësh narkotike, nga të cilët 105 ishin të mbartur nga periudhe e mëparshme;
- Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur fajtorë në 68 raste;
- Qeveria e Shqipërisë nuk mban statistika për përdorimin e drogës nga popullsia e saj;
- Shqipëria vazhdon të marrë ndihmë nga vendet e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian për të rritur kapacitetet e saj kundër narkotikëve.