Raportuesi për Kosovën në KiE liderëve: Respektoni Kushtetutën dhe mbroni interesin e qytetarëve

Nga Exit News
Raportuesi për Kosovën në KiE liderëve: Respektoni Kushtetutën dhe mbroni interesin e qytetarëve

Peter Beyer, raportuesi për Kosovën në Këshillin e Evropës i ka kërkuar politikanëve kosovarë të jenë të përgjegjshëm dhe të kenë respekt për sundimin e ligjit në vend.

Në një deklaratë të lëshuar mëngjesin e 5 majit, Beyer shkruan se Kosova është goditur fort nga pandemia e COVID-19, por se është thelbësore për të ardhmen e vendit që sistemet e kontrollit dhe balancës mes institucioneve kryesore të jenë të sigurta dhe të mbështetura në ligj e kushtetutë:

“Në këtë situatë dramatike, është thelbësore për të ardhmen e Kosovës dhe popullit të saj që sistemet e kontrollit dhe balancës të jenë të forta dhe të sigurta. Kjo vlen veçanërisht për një kuvend plotësisht funksional dhe një sistem të pavarur gjyqësor kushtetues.”

Ai u bëri thirrje politikanëve kosovarë dhe pjestarëve të sistemit gjyqësor që të veprojnë duke pasur parasysh interesin e qytetarëve dhe çdo vendim i tyre të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Beyer shpreson se liderët e Kosovës janë të udhëhequr vetëm nga sundimi i ligjit dhe se do të sigurojnë parimin e proporcionalitetit në lidhje me të gjitha masat që konsiderohen të nevojshme për të përballuar krizën aktuale pandemike dhe politike. Ai u bëri thirrje palëve të përfshira të respektojnë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat janë pjesë e sistemit juridik të brendshëm të Kosovës.

Deklarata e raportuesit për Kosovën vjen në një moment delikat për vendin, veçanërisht në aspektin politik, ku pas rrëzimit të qeverisë Kurti, presidenti Thaçi mandatoi Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e dytë të zgjedhje, për të formuar qeverinë e re.

Ky vendim i Thaçit po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese nëse është i ligjshëm dhe në përputhje me Kushtetutën apo jo.

Deri në formimin e qeverisë së re, kryeministri Kurti dhe qeveria e tij do të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>