Reagimi i Komisionerit Hahn, dëshmi e dështimit të politikës së KE-së për Ballkanin Perëndimor

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Reagimi i Komisionerit Hahn, dëshmi e dështimit të politikës së KE-së për Ballkanin Perëndimor

Një skandal shantazhimi, që përfshin Prokuroren Speciale Katica Janeva, ka tronditur skenën politike të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë edhe kryeministrin pro-evropian, social-demokratin Zoran Zaev.

Prokurorja Janeva u emërua—si pjesë e një “reforme në drejtësi” të sponsorizuar nga BE-ja në Maqedoni—për të hetuar përgjimet të cilat çuan në rënien e qeverisë së Nikolla Gruevskit dhe fitoren në zgjedhje të kryeministrit të tanishëm Zoran Zaev.

Në një reagim në Twitter, pas bërjes publike të përgjimeve që zbuluan shtrirjen e skandalit të fundit, Doris Pack, kryetarja e grave në Partinë Popullore Evropiane, i bëri thirrje për të reaguar Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), institucioni që luan rolin e ministrisë së punëve të jashtme të BE-së:

“Përse asnjë reagim nga EEAS? Qytetarët po më shkruajnë dhe po më telefonojnë, ndihen të braktisur!!! Zgjidhja e [konfliktit për] emrin nuk mund të përdoret për të mbyllur sytë ndaj realitetit kriminal! Emri i Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut përmendet në videon e tretë ‘të korrupsionit’.”

Pas kësaj, Eurokomisioneri Johannes Hahn bëri thirrje për hetimin e “zbulimeve të fundit”:

“Lufta kundër korrupsionit në nivelet e larta duhet të vazhdojë e pandërprerë. Sa i përket zbulimeve të fundit, është e rëndësishme të vendoset përgjegjësia ligjore për të gjitha krimet, përfshirë ato që rrjedhin nga dhe kanë të bëjnë me përgjimet e paligjshme.

Askush nuk është mbi ligjin dhe nuk mund të ketë pandëshkueshmëri. Të gjitha krimet duhet të hetohen nga autoritetet përkatëse, të lira nga çdo ndërhyrje, dhe autorët duhet të vihen para drejtësisë.”

Nga njëra anë, komenti i Komisionerit Hahn tregon se si po dështon dhe po i kthehet në bumerang politika e Komisionit Evropian për “reformën në drejtësi”—ndërhyrja në sistemin e drejtësisë të një shteti për të manipuluar politikën e brendëshme. Nga ana tjetër, reagimi tregon standardet e dyfishta me të cilat vepron politika e Komisionit Evropian.

Eurodeputetja Pack shkruan shpesh në Twitter për Ballkanin Perëndimor.  Me vlerësimet e saj kritike për situatën, ajo shpesh ka pasur fërkime me Komisionin Evropian.

Veçanërisht në lidhje me Shqipërinë, ajo ka shprehur shqetësimet e saj për disa nisma ligjore të qeverisë Rama, përfshirë atë për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe për “paketën anti-shpifje”. Ajo gjithashtu ka ripostuar shkrime për skandalin e përgjimeve për vjedhjen e votave nga Partia Socialiste gjatë zgjedhjeve në vitet 2016 dhe 2017.

Pjesërisht për shkak të mungesës së trysnisë nga BE-ja, Kryeministri Rama ka arritur të mbajë larg nga faqet e para të mediave ndërkombëtare këtë skandal thellësisht shqetësues.

Janë të shumta paralelet midis skandalit në Maqedoninë e Veriut dhe skandalit në Shqipëri—përgjimet e publikuara nga gazetat e huaja, që tregojnë bashkëpunimin e partisë socialiste në pushtet me krimin e organizuar për të vjedhur votat.

Sidoqoftë, vetëm në njërin rast—atë të Maqedonisë së Veriut—Komisioneri Hahn, në mënyrë jo të zakontë për të, pasoi zonjën Doris Pack, duke bërë thirrje për “përgjegjësi ligjore”. Ndërsa për skandalin në Shqipëri, Hahn vazhdon të heshtë, në mbështetje të qeverisë Rama.

Po Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini ku është?

Zyra e saj ka qenë plotësisht gojëkyçur për të dyja rastet. Mbase është oportunizëm. Mbase është paaftësi. Me shumë mundësi, janë të dyja bashkë.

Sidoqoftë, skandali i korrupsionit në nivele të larta në Maqedoninë e Veriut duket se ka ardhur në kohën ‘e duhur’. Tani Këshillit Evropian i ka rënë në dorë ‘shkopi’ i duhur për të ‘rrahur’ Maqedoninë e Veriut dhe për të mos i hapur negociatat me të në tetor.

Pa dyshim që kjo do të çojë në paqëndrueshmëri të zgjatur politike në Maqedoninë e Veriut, dhe do t’i sjellë një psherëtimë lehtësimi qeverisë Rama, duke i dhënë fund makthit të saj se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të vlerësoheshin ndarazi për hapjen e negociatave.

Deri atëherë, Hahni dhe Mogherini, të cilët kanë kryesuar ndoshta pesë vitet më katastrofike të politikës së BE-së për Ballkanin Perëndimor, do të jenë larguar dhe do t’u kenë lënë pasardhësve të tyre vetëm rrëmujën që duhet pastruar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>