Me kokën e ulur dhe me duart e lëshuara përpara, mbi tavolinë, me një ndjenjë çlirimi që ia mbërritën deri këtu, ai i urdhëroi të pranishmit të dilnin jashtë.
Të katërt, mes tyre edhe i pandehuri, duhej të prisnin vendimin penal, në korridor, në përfundim të një numri seancash gjyqësore, të zhvilluara javët e fundit, me procedurë të shkurtuar.
Ishte një ditë pune si gjithë të tjerat, por në korridor nuk pipëtinte askush dhe qetësia e pazakontë në këtë mjedis ndjekjesh penale, të lejonte krijimin e përshtypjes së gabuar se ishte një ditë pushimi.
Ngjarja po zhvillohej në katin e tretë të Dhomës Penale të Tiranës dhe i pandehuri ishte Eljan Arben Tanini, aktivisti që kishte kundërshtuar autoritetet dhe ngritjen e një këndi fëmijësh në hapësirën e gjelbër të Parkut të Liqenit të Tiranës. Portreti i tij i bardhë, me një mjekër të hollë e delikate tregonte një moshë më të pjekur. Me duart e zhytura thellë në xhepat e Montgomerit të tij me kapëse briri, i rrethuar prej një shalli leshi të trashë nën grykë, ai po përpiqej të shmangte të ftohtin, por jo një shqetësim të fshehtë që fshihej thellë në sytë e tij të vegjël.
Në korridorin e gjatë të Dhomës Penale, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor në Tiranë, kishte vetëm një dritare. Ata po qëndronin pranë saj dhe vajzat, në mënyrë të pavetëdijshme, e kishin hedhur vështrimin jashtë. Avokatja mbrojtëse ishte personi më i gjatë në grup, ose ndoshta ishte thjesht një përshtypje e krijuar prej asaj vetë, një përpjekje, apo më shumë, një mundim i sforcuar për të qëndruar drejt. Ndonëse e palëvizur, e pajisur me një çantë të vogël prej rripash të gjatë, dukej se pritja po e bezdiste. I vetmi njeri që nuk tregonte ndonjë nxitim ishte prokurorja, një zonjë e re e mbështjellë nga një pallto e gjatë. Me duart e mbledhura përpara, ajo mbante një dosje, brenda së cilës ishte sistemuar relacioni final.
Ishte dita e fundit dhe Eljani ishte aktivisti i parë ndaj të cilit, pas pak çastesh, do të jepej verdikti. Ndërsa po prisnim të gjithë bashkë, vendosa të thyeja heshtjen tkurrëse më një ndërhyrje të drejtpërdrejtë.
-A dënohen aktivistët?
-Po edhe në Francë ata dënohen! – u përgjigj prokurorja e re. – Të gjithë e dimë. Franca është modeli i demokracisë”, – m’u drejtua. U ktheva nga dritarja.
Eljan Tanini është një artist i cili pas studimeve për pikturë grafike, studioi filozofi dhe unë mendoj, se ai ka njohuri të bollshme mbi teorinë dhe praktikën e demokracisë si një model emancipimi shoqëror. I mbështetur lehtë në mur, përballë derës së gjykatësit, ai nuk mund të mos kujtonte se në emër të këtij modeli, ai dhe shokët e tij, protestuan publikisht në mbrojtje të Parkut, disa muaj më parë. Gjatë betejës, ai e pa veten duke kënduar në kor, me altoparlant duke drejtuar aktivistët, duke bërë thirrje kundër autoriteteve, i prangosur e i ndaluar në rajonin e policisë për disa orë. U shfaq në ekran si armiku publik, u sha e u fye, dhe në fund, mbeti pa punë!
Tani, “Çështja Eljan Tanini” ndodhej, pikërisht, përpara derës së një gjykatësi, në katin e tretë, në korridorin e ftohtë, këtu në Dhomën Penale të Tiranës. Gjatë kësaj kohe, Eljani ka mbjellë pemë, ka shkruar poezi e ka recituar vargje për vendlindjen. Ka pak njerëz që recitojnë. Eljani është njëri nga ata.
Vendimmarrja nuk vonoi! Aq sa mjafton për të shaptilografuar një shkresë. Portreti i gjykatësit, në kontraluçe, ishte i paqartë dhe konturet e pelerinës impononin një paralizë ndaj të pranishmëve. Rripi i trashë, në pjesën e përparme të togës, lëvizi. Ai lexoi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Eljan Arben Tanini për kryerjen e veprës penale të “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik” dhe në bazë të nenit 235/1 të Kodit Penal dënimin e tij më 1 (një) muaj burgim…Por në zbatim të nenit 63 të Kodit Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit më burgim për të pandehurin Eljan Tanini dhe zëvendësimin e tij me kryerjen e një pune me interes publik prej 40 (dyzetë) orësh…Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit”.
Dolëm në oborr. Pasdreka kishte kaluar dhe moti po ftohej!
-Ç’do të bësh Eljan?
-Asgjë, – tha ai dhe vështroi nga unë. – Po shkoj nga “Heminguej”. Mbase takoj disa shokë.
Qëndroi ashtu në heshtje, për një kohë. Pastaj lëvizi dhe eci drejt.