Reporterët pa Kufij (RSF) i kanë bërë thirrje autoriteteve shqiptare të mbrojnë gazetarët, të cilët kanë rënë pre e dhunës së rëndë gjatë protestave të mbajtura në katër muajve të fundit për largimin e Kryeministrit Rama. RSF bën përgjegjës si politikanët, ashtu edhe protestuesit për aktet e dhunës ndaj gazetarëve gjatë kryerjes së detyrës.
Pauline Adès-Mével, drejtuesja e RSF për Evropën dhe Ballkanin në një deklaratë për shtyp dënoi “klimën e frikësimit dhe dhunës kundër gazetarëve” dhe i bëri thirrje autoriteteve të “marrin masa të menjëhershme për ndalimin e dhunës”.
Ajo kërkoi dënimin e përdorimit të “retorikës së dhunës dhe anti media të përdorur nga disa politikanë në të mirë të reformave demokratike dhe procesit të hapjes së bisedimeve në BE”.
RSF ka dokumentuar disa raste të dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve në protesta, si Besfort Kryeziu, Eno Xhaja, Maeto Brahja, Arsen Rusta, Isa Myzyraj dhe Marsela Karapanço. Organizata e mbrojtjes së gazetarëve ka kërkuar në mënyrë të veçantë ndalimin e përdorimit të gjuhës ngaçmuese ndaj gazetareve femra. Në raportin e fundit të RSF-së, Shqipëria rendidet në vendin e 82-të nga 180 vende të botës, duke zbritur shtatë vende më poshtë brenda një viti.