Parlamenti Evropian u shpreh sot me një rezolutë se vendimi për të mos nisur bisedimet e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë ishte “gabim strategjik” pasi “të dyja vendet i kishin plotësuar kriteret” dhe “duke mos hapur negociatat, rajoni mund të përfshihet nga influenca që nuk ndajnë vlerat e BE”.
Në rezolutë, PE nuk hodhi poshtë qëndrimin e Francës për të reformuar procesin e zgjerimit, por në të theksohet se reforma nuk duhet të pengojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në samitin e 18 tetorit, Franca, Danimarka dhe Holanda votuan kundër nisjes së bisedimeve për anëtarësim të dy vendeve të Ballkanit.
Mirëpo, sipas PE Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut “kanë bërë përpjekje të konsiderueshme vitet e fundit për të arritur kriteret e BE-së për nisjen e bisedimeve”. Në këtë pikë PE kujton trysninë e ushtruar nga Brukseli për Maqedoninë e Veriut rreth zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë dhe nga ana tjetër reformën në drejtësi që po kalon Shqipëria.
Vendimi kundër hapjes së negociatave, është konsideruar nga PE si “gabim strategjik, që dëmton besueshmërinë e BE-së dhe dërgon mesazhe të gabuara vendeve kandidate” për këtë PE thotë:
“[…] (mesazhet) mund të shtyjnë aktorët e huaj, aktiviteti i të cilëve mund të mos jetë në një linjë me vlerat e BE-së, që të interesohen apo të angazhohen ngushtë si me Shqipërinë, edhe me Maqedoninë e Veriut.”
Presidenti i Francës Macron qe shprehur kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut sepse ishte i mendimit se procesi nuk garantonte marrëdhënie të ndershme zhvillimi reciprok as me BE dhe as me vetë vendet. Për këtë Presidenti francez propozoi reformimin e procesit.
Por PE thotë në resolute që “reformimi i procesit të zgjerimit, nuk duhet të pengojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat i kanë përmbushur kërkesat e vendosura sipas kritereve objective dhe nuk duhet gjykuar nga politika e brendshme apo axhenda e vendeve të veçanta”.
Me rezolutën e saj PE i kërkon Bashkimit Evropian që të veprojë me përgjegjshmëri dhe të marrë në mënyrë unanime vendim pozitiv në mbledhjen e radhës.
Megjithatë vetë PE nuk kishte votë unanime në këtë rezolutë, e cila mori 412 vota pro, 136 kundër dhe 30 abstenime.
Rezoluta e PE nuk është detyruese për institucionet e tjera të Bashkimit Evropian dhe nuk ka fuqi vendimmarrëse.