Avokati i Popullit Igli Totozani njoftoi sot gjatë konferencës për shtyp se nga data 20 deri më 27 mars të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret për institucionet e vetingut të paraqesin edhe njëherë dokumentat e përcaktuara në ligj.
Zoti Totozani tha se “dokumentacioni i munguar duhet të dorëzohet nga dita e sotme brenda afatit 27 mars 2017. Për të gjithë kandidatët është i mundur dorëzimi i aplikacionit përmes postës zyrtare, postës elektronike”.
Ky vendimi i Zotit Totozani vjen pasi Kuvendi, në mungesë të komisioneve parlamentare ad-hoc, vendosi ridërgimin e dy listave të kandidatëve sëbashku me rekomandimet e ONM-së dhe hapjen e aplikimeve të reja, pranë Avokatit të Popullit.
Gramoz Ruçi, kryetar i grupit parlamentar të PS, më 6 mars, i kërkoi Avokatit të Popullit në shkelje të ligjit hapjen e procedurave për aplikime të reja dhe plotësimin e dokumentacionit për 79 kandidatët e vlerësuar pozitivish nga ONM, për një periudhë shtesë prej 7 ditësh.
Procesi i formimit të institucioneve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Apelimit filloi më 1 shkurt 2017.
Gjatë kësaj kohe, në institucionin e Avokatit të Popullit aplikuan 193 kandidatë. Ndër to, Avokati i Popullit hartoi një listë me 29 aplikantë të vlefshëm dhe një tjetër me 164 kandidatë jo të vlefshëm.
Këto dy lista u vlerësuan nga ekspertët e Bordit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilët dhanë rekomandim negativ për tetë nga 29 kandidatët e zgjedhur dhe rekomandim pozitiv për 79 kandidatë nga lista me 164 kandidatët e skualifikuar.
Gjithashtu, përfaqësuesit e ONM-së sugjeruan se komisionet parlamentare Ad-hoc duhet të vlerësojnë 79 aplikantët të cilët mund të kualifikohen për anëtarë të insitutcioneve të vetingut.