Rilindja sh.p.k.

Nga Carloalberto Rossi
Rilindja sh.p.k.

Këto kohë e gjithë Shqipëria ka marrë një mësim të madh morali politik nga shkolla politikisht e korruptuar e “rilindjes”.

Shqipëria mësoi këto ditë se një ministër i brendshëm, mund të ketë një vëlla të dënuar mbi 7 vjet burg për trafik droge, me idenditet të ndryshuar dhe që bën një jetë të mirë pa bërë asnjë ditë burg, dhe prapë të mos mbajë asnjë përgjegjësi morale—penale, jo e jo—dhe mund të vazhdojë të jetë Ministër i Brendshëm.

Kjo sepse, sipas Ramës, në luftën e madhe të së mirës socialiste kundër të keqes demokrate po afrohet beteja finale dhe pushteti socialist duhet të përfundojë detyrën e tij historike, pastrimin etnik të Shqipërisë nga shpifësit demokratë, të vetmit përgjegjës për degradimin e vendit. Këtij qëllimi të madh ata i kanë kushtuar mandatin e tyre të dytë.

Ishte që ishte, Rama mund edhe t’u kishte kujtuar shqiptarëve se përveç Lusë dhe Vlahutinit edhe “Zoti është me ne”.

Pra, kjo qeveri, ky sistem i pushtetit, është vetëklasifikuar si një shoqëri me kapital e përgjegjësi të kufizuar, shpk, që është i vetmi model politik e jopolitik që njohin mirë. Dhe në rast të falimentimit shpk-ja përgjigjet vetëm me kapitalin e saj, pra me votat e zgjedhësve.

Në fakt ata nuk mund të mbahen përgjegjës për ndonjë gjë, sepse përgjegjësia morale sikurse e thamë më sipër nuk zbatohet ndaj atij që lufton kundër të keqes supreme. Dhe deri kur të kenë votat e zgjedhësve, nuk ka rëndësi se si i marrin ato, do të kenë kapital për t’iu përgjigjur përgjegjësive të tyre, më pas nuk kanë asnjë qëllim të japin llogari.

Pak rëndësi ka që të gjithë e dinin se vëllai i Ministrit të Brendshëm ishte i dënuar dhe bënte sikur nuk ishte, pak rëndësi ka që Ligji Antimafia kërkon që ministri të hetohet dhe të provojë se pronat e tij nuk janë të krijuara nga të ardhurat e aktivitetit kriminal të të vëllait.

Pak rëndësi ka se, ndërkohë, një polic i thjesht rrugor në zonën më të humbur të vendit duhet të kalojë nën skanerin e vetingut deri tek kushurinjtë e gradës së tretë—pak rëndësi ka edhe që kjo kërkesë është futur nga vetë ministri, vetë i lidhur ngushtë me histori të trafikimit të drogës.

Pak rëndësi ka se mes miqve të Ramës ka shumë që janë të përfolur për krime, pak rëndësi ka se në të shkuarën moralistët socialistë kanë mbrojtur me shpatë në dorë kryebashkiakun e Kavajës dhe ende sot mbrojnë atë të Durrësit, pak rëndësi ka se ka gjithmonë shqiptarë në çdo arrestim që bëhet në BE të bandave të trafikut të drogës.

E gjitha është një teatër i opozitës, dhe si i tillë nuk prodhon asnjë përgjegjësi moale.

Janë ata të këqijtë—vetë ai, Rama, është kampioni i të mirëve që po përpiqen të luftojnë të këqinjtë, dhe në fakt janë shumë të zënë, nga një goditje në tjetrën dhe duke hartuar ligje speciale për të arrestuar atë që duan. Ndoshta, për ti bërë shoqëri atyre “të këqinjve” të tjerë nga Kukësi që fatmirësisht janë burgosur nga drejtësia.

Ata, ata të Kukësit, nuk janë një shpk, janë vetëm qytetarë persona fizik dhe për këtë arsye përgjegjësia e tyre është e pakufizuar, dhe në rast falimentimi, apo të përgjegjësisë civile duhet të përgjigjen pa asnjë kufizim dhe të qendrojnë në burg.

Sipas “rilindjes” në politikë, ashtu sikurse në biznes, e rëndësishme është të kesh një avokat të mirë, ose të kesh kontroll mbi drejtësinë. Të gjitha të tjerat janë vetëm fjalë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>