Nga 26 gushti, TVSH-ja e naftës për kompanitë e transportit publik do të rimbursohet 100 për qind nga 43 për qind që njihej më parë, si shpenzim i zbritshëm.
Udhëzimi i Ministrisë së Financave u botua në Fletoren Zyrtare në 26 gusht.
Sipas ministrisë, kjo është lehtësi për kompanitë e transportit publik, veçanërisht me vështirësitë që hasën gjatë pandemisë së Covid-19.
Por kompanitë e transportit publik shprehen se rimbursimi 100 për qind i naftës nuk do të ketë ndonjë ndikim financiar për ta.
Po ashtu rimbursimi 100 për qind i naftës nuk ka qenë një nga kërkesat e tyre gjatë protestave në qershor.
Katër kërkesat e tyre kryesore si kusht për rifillimin e punës në qershor ishin:
– Të hiqej akciza për naftën dhe taksat për karburantin, ngjashëm me sektorin e peshkimit;
– Të ulej TVSH-ja nga 2% në 0% për këtë vit dhe më pas në vitin e ardhshëm të jetë 6 për qind;
– Rimbursimin e kapacitetit të munguar si pasojë e masave kufizuese për shkak të Covid-19;
– Rimbursimin në burim të kategorive të cilat përfitojnë transport falas.