Stephan Hessel, një figurë e rëndësishme e rezistencës franceze gjatë pushtimit nazist dhe një ndër të paktët që i mbijetoi kampeve të përqëndrimit, shkroi në vitin 2010 një trakt politik të quajtur „Indinjohuni“ (Indignez-Vous). Qëllimi kryesor, ishte t’ju kujtonte gjeneratave të reja se sa e rrezikshme është indiferenca.
Në Shqipëri, ne nuk vuajme nga indiferenca. Madje, ne jemi, në mendimin tim nga të paktët popuj me një edukate të mirëfillte politike. Prej kafeneve deri në intimitetin e shtëpive, diskutimi politik është një pjese e pandashme e përditshmërisë. Ndër të tjera jemi një vend, që nuk i druhemi të protestuarit, vitet e fundit e kanë treguar qartazi këte.
Ne dimë mesa duket të indinjohemi. Kjo të bën të mendosh, se me doemos një vend në të cilin, qytetarët ndjekin zhvillimet politike me interes, diskutojnë mbi to, indinjohen dhe protestojnë duhet të jetë një vend në të cilin funksionarët publik drejtojnë vendin me një përgjegjshmëri dhe ndërgjegjësim të lartë politik. Si është e mundur atëherë, që ne kemi prej 30 vitesh, një politikbërje dhe politik arrogante, dhe emra të perveçëm në vend të politikave? Që kemi parti që në zgjedhjet elektorale garojnë pa programe të mirëfillta politike dhe që vendosin të gjithë peshën mbi popullaritetin e figurave kryesore të partisë? Kryeministri Rama është padyshim një figurë interesante politike, por me më shumë dritëhije se pikturat e Francisko Goya-s.
Ndër vite figura e tij është konsoliduar në një drejtim të rrezikshëm (të qëllimtë ose jo) në atë të Babait të Kombit, që të bën të mendosh se ky mandat i tretë mund të ketë tipare patrionalismi: ku kabineti dhe votuesit i janë besnikë jo partisë dhe parimeve te saj, as edhe institucioneve por vetë udhëheqësit, në rastin tonë kryeministrit aktual Rama.
Rama, mbajti mbi supe, në një përpjekje atlasiane, peshën e fushatës zgjedhore. Gjatë së cilës si asnjëherë tjetër ishte i pranishëm pothuaj në çdo emision televiziv, duke përqëndruar të gjithë vëmendjen e elektoratit në personin e tij. Motivi kryesor i fushatës elektorale të partisë socialiste ishte të votonin PS-në (Ramën) qe të përfundonte punët e nisura, se pa të progresi do të ndalonte. Absurditeti i kësaj kërkesë qëndron në faktin se në një demokraci funksionale, instuticionet do të vijojnë të punojnë, rrugët të shtrohen, ndërtesat të ndërtohen, edhe pa Ramën si kryeministër. Madje ndoshta edhe më mire pa Ramën kryeministër, por këtë ne nuk do të mund ta dimë, duke qenë se kryeministri nuk ka ndërmënd të tërhiqet dhe ti lerë hapësirë kolegëve të partisë së tij.
Disa javë më parë Pablo Iglesias një figurë e njohur e së majtës së re në Spanjë u tërhoq papritur nga politika, vetëm pak kohë pasi u tërhoq si zëvëndës Kryeministër dhe vetëm pak vite pasi transformoi politikbërjen në Spanjë duke thyer dinamiken dy partiake. “Nuk dua të bëhem një pengesë për udhëheqjen e re që i duhet forcës sonë politike“, tha Iglesias. Ne jemi ende larg prej një kulture të tillë politike. Në Shqipëri rastet e tërheqjes nga skena politike, janë të pakta dhe kane ardhur pas një kohe të gjatë.
Ish-kryetari i partisë socialiste Fatos Nano dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, kanë ikur veçse pasi qëndresa e tyre në politike do të ishte absurde, duke qenë se nuk kishin më ç’të ofronin. Rama është në politik, si një ish- ministër i kabinetit Nano, drejtues i bashkisë më të madhe në vend për tri mandate të një pasnjëshme dhe dy mandateve si Kryeministër i vendit. Unë dhe shumë bashkëmoshatarë të mi, kemi njohur që prej fëmijërisë një politikë në të cilën Rama ka qenë gjithnjë në qendër. Kemi ndjekur zhvillimin e figurës së tij politike, që prej kohës që përfaqësonte një politike alternative, rebele dhe kur premtonte shumë për të majtën. Ky nuk është më rasti.
Përse është e rrezikshme që jo vetëm Rama, por cilido politikan të qëndrojë kaq gjatë në pushtet? Eshtë e rrezikshme sepse rotacioni politik synon të parandalojë korrupsionin dhe një diktaturë të mundshme si dhe të garantoje liri dhe një përfaqësim demokratik të interesave të qytetarëve. Thomas Jefferson në një përpjekje për të justifikuar limitimin e mandatit presidencial në Shtetet e Bashkuara e quajti „domesdoshmeria për ndryshim“, sipas tij asnjë fuqi e huaj, apo vendase nuk do të shpërdoronte para dhe mund për të zjedhur dikë, që do të kishte një mandat të limituar presidencial. Konteksi politik ka ndryshuar që prej atëherë por në thelb shqetësimi mbetet i njejtë: sa më gjatë i njëjti politikan qëndron nëpushtet aq më të larta janë gjasat që të përfaqësoj interesat e një grupi të caktuar.
Mungesa e një limitimi të tillë kushtetues, i jep potencialisht Ramës mundesinë për të qënë një Kryeminister i përhershëm. Shqipëria nuk është e vetmja qe nuk e ka një limitim të tillë kushtetues, edhe vende si Gjermania, që ndajne me ne një të shkuar autoritare, nuk e kane një limit të tillë. Helmut Kohl, qëndroi në pushtet po aq gjatë sa edhe Bismark, duke e justikuar se ndryshe nga Bismark ai ishte rizgjedhur.
Sa mund t’i besojmë ne rizgjedhjes në Shqipëri? Së pari, nuk bëhet fjalë për një mosbesim lidhur me menaxhimin apo vërtetësinë e votave. Në Shqipëri, situata është më e komplikuar, partitë krijojnë një rrjet mbështësish shpesh jo mbi parime por mbi përfitime të mundshme praktike: një vend pune për djalin apo vajzën, ngritje në detyrë, rritje në detyrë e të tjera skenare të ngjashme.
Së dyti, qytetarët në rolin e tyre si votues në këto 30 vitet e fundit e kanë gjetur veten si në atë episodin e folklorit grek, ku Odisesë i duhet të zgjedh mes Charybdis dhe Scyllas, të dyja mundësi zgjedhje të pakëndshme. Përse ndodh kjo? Përse në këto 30 vite dy Partitë më të mëdha kanë prodhuar vetëm disa figura politike?
Në mendimin tim është e thjeshtë, drejtuesit partiakë kanë patur tipare autokratike dhe shpesh kanë eliminuar politikisht figura që do të mund t’i konkuronin. Figura potenciale politike që vine nga jashtë partive kryesore e kanë pothuajse të pamundur. Sistemi bipartiak është kaq i konsoliduar sa është shëndërruar në një fortesë të pathyeshme. Zgjedhjet e fundit e treguan më së miri këtë.
Sipas nenit 105 te Kushtetutës së Shqipërisë, një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit në detyrë duke propozuar një Kryeministër të ri. Sigurisht një mekanizëm i tille ligjor krijon një garanci për ruajtjen e demokracisë. Në vitin 1982, kancelari gjerman i SPD-se Helmut Schmidt i la vendin Helmut Kohl, pas një vote mosbesimi të propozuar nga CDU.
Por si i bëhet në ato raste kur Kryeministri në detyrë është edhe drejtuesi i partisë që ka shumicën në parlament, dhe është një figurë e pakundërshtueshme në të. Drejtimi autoritar i një partie, do të ishtë në këtë rast një sistem mbështetës i një Kryeministri autoritar. Uroj që ky të mos jetë rasti i vendit tonë, dhe uroj shume që Kryeministrit tonë te mos i duhet edhe nje mandat i katërt për të përfunduar punët e nisura.
Plutarku shkruan në “Jetën e Demetriusit” se kur maqedonasit e bën të qartë se donin Pyrrhus për mbret, Mbret Demetrius, jo si një mbret por si një aktor që pasi përfundon teatrin ndërroi rrobat mbretërore për një mantel të errët dhe la skenën. Demetriusi mund të ishte një ish-mbret, por me gjasa të mësohesh të jesh një ish kryeministër është edhe më e vështirë, por ndoshta jo e pamundur.