"Rreziku" që i vjen Kryeministrit nga veza

Nga Artan Rama
"Rreziku" që i vjen Kryeministrit nga veza

Ditën e hënë, në orën 12:00 në Gjykatën Penale të Tiranës, gjyqtari Arben Micko do të shpallë vendimin për tetë studentët e akuzuar dhe gjykuar penalisht për goditjen me vezë të Kryeministit Rama.

Çfarëdolloj vendimi të jepet vlerësimi do të mbështetet mbi përfundimet e mëposhtme të pranuara si të vërteta nga gjykata.

Së pari, punonjësit e policisë, të cilët ishin në vendngjarje, nuk arritën të identifikojnë, të paktën një student, si autor të pretenduar se ka goditur me vezë.

Së dyti, si provë materiale u sekuestruan mbetjet e një kokërr veze, ndërkohë që nën akuzën e goditjes u përfshinë tre studentë.

Së treti, katër prej dëshmitarëve të akuzës, pjesë e efektivave të policisë së rendit, nënshkruan dëshmi të njëjta.

Së katërti, forcat e policisë ushtruan kontroll të paautorizuar në banesat e studentëve dhe, sipas një akt-ekspertize, mbi disa prej tyre u ushtrua dhunë.

Së pesti, gjatë procesit, gjykata nuk e pranoi thirrjen e të dëmtuarit të pretenduar prej vezës, në rastin konkret, të kryeministrit Rama, që të paraqitej si dëshmitar në sallë.

Sikur vendimi të merrej në bazë të diskutimeve përfundimtare mes palëve gjatë procesit gjyqësor, të tetë studentët aktivistë, anëtarë të Lëvizjes për Universitetin, të përfshirë në të ashtuquajturën “goditja me vezë të kryeministrit” do të duhej të shpalleshin të pafajshëm.

Por pafajësia e tyre, edhe pse vendim i arsyeshëm, nuk është vendimi “i natyrshëm” i drejtësisë shqiptare, pasi në Shqipëri zyrtarëve të lartë publikë u sigurohet ende mbrojtje e veçantë ligjore duke diskriminuar qytetarët e thjeshtë.

Rreth tre javë më parë, pikërisht në momentet kur Prokuroria kërkonte fajësinë e studentëve në sallën e Gjykatës së Tiranës, “i dëmtuari nga veza”, Kryeministri Rama, në një sallë të Universitetit të Elbasanit fliste pa simpati për një grusht studentësh, që sipas tij e kundërshtonin reformën në arsim për shkak të mesatares së tyre të ulët. Mesazhi ishte i qartë: shpërfillje dhe denigrim për kundërshtarët e reformës në arsim.

A do ndikojnë qëndrimet e tij publike në vendimin e gjykatës këtë të hënë? Kjo mbetet për t’u parë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>