Të martën mbrëma u publikuan në mediat sociale pjesë të raportit të policisë mbi vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.
Raporti hedh dyshim mbi versionin e ngjarjes së dhënë nga Policia e Shtetit mbi vrasjen e Xhuvanit.
Raporti dokumenton praninë e një numri kartash identiteti si dhe një listë emërore me numra ID në makinën tip Benz të Klement Xhaferraj.
Në deklaratën për shtyp të datës 22 prill, policia thjesht përgënjeshtroi praninë e materialeve, që përdoreshin për shitblerje të votës, në makinën pa targa të viktimës Pjerin Xhuvani.
Ajo përmend praninë e një tjetër automjeti Benz në pronësi të Klement Xhaferraj, por nuk përmend mjete identifikimi.
Në fakt, Xhaferraj aktualisht kërkohet vetëm për akuzën “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë.”
Rikujtojmë se PD dyshonte se Xhuvani po shpërndante para dhe karta identiteti për të blerë vota.
Në fakt, PD deklaroi se zjarri ishte hapur pikërisht nga Xhaferraj, në përpjekje për të mbuluar krimin zgjedhor.