Rrjeti i Bashkimit Sindikal Ndërkombëtar, ku bëjnë pjesë me shumë se 40 sindikata dhe federata sindikale, mbështeti të mërkurën kandidaturën e Elton Debreshi si deputet i pavarur në Dibër.
Debreshi e ka falënderuar Rrjetin e Bashkimit Sindikal përmes një postimi në profilin e tij.
“Veprimtaritë kryesore të këtij rrjeti synojnë të mbështesin betejat sindikale në mbarë botën. Pikat themelore të veprimtarisë së tyre bazohen te: organizimi dhe kontrolli i pavarur i sindikatave nga ana e punëtoreve; të drejtat e punëtoreve emigrante; të drejtat e punëtoreve gra etj”, deklaron Debreshi në postimin e tij.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës i ka bërë thirrje Rrjetit për solidaritet.
“Ne, anëtarët e Sindikatës së Bashkuar të Minatorëve të Bulqizës, i bëjmë thirrje solidaritetit tuaj ndërkombëtar me luftën e minatorëve të Bulqizës, Shqipëri”, thuhet në letrën e SMBB.
Në këtë letër paraqitet situata e Dibrës dhe e minatorëve të Bulqizës. Sindikata ka treguar për grevën e minatorëve, pushimin nga puna në mënyrë të padrejtë të 4 minatorëve përfshi aty edhe Debreshin. Po ashtu theksohet situata e qarkut të Dibrës, një ndër më të varfrit në Shqipëri.
“Nëse ia drejtojmë këtë thirrje, kjo është për shkak se ne mbetemi të bindur se lufta jonë do të ketë më shumë shanse për të fituar nëse përfiton nga solidariteti ndërkombëtar i kolegëve tanë”, shkruan SMBB drejtuar Rrjetit të Sindikatave.
Të martën ish ministri grek Yanis Varoufakis mbështeti po ashtu kandidaturën e Elton Debreshit.
“Shumë i lumtur të raportoj se në Shqipëri po formohet një lëvizje e re dhe e pabesueshme. Këtu është Elton Debreshi, kreu i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës SMBB të Shqipërisë. Shikoni videon e tyre dhe mbështesni luftën e tyre përkrah International Progressive”, tha Varoufakis në Twitter.