Rruga Ballkanike, e njohur për trafikun e lëndëve narkotike, e cila kalon përmes Shqipërisë, ka lindur që në mesin e viteve 1960, nën kujdesin e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës.
Në studimin e fundit të Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar, botuar në 24 korrik, jepen fillesat e kësaj rruge, që sot është ndër më të rëndësishmet në botë për trafikun e drogë.
Exit News përmbledh më poshtë historikun e kësaj rruge
Lindja e Rrugës Ballkanike
Në studim shkruhet se disa zviceranë, të lidhur me mafian italiane, i bënë qeverisë shqiptare një ofertë për kontrabandën e cigareve.
“Si rezultat i vështirësisë në thithjen e investimeve të huaja dhe infrastrukturës së dobët, Shqipëria ishte një nga vendet më të varfra të bllokut komunist.
Në përpjekje për të gjetur burime për thithjen e valutës së huaj, qeveria shqiptare nuk mundi t’i rezistojë një oferte të bërë në vitin 1966 për t’u përfshirë në kontrabandën e cigareve.
Plani ishte që të trafikoheshin për në Itali cigare të markave amerikane, dhe që atje këto cigare shpërndaheshin më tej në vende të tjera të Evropës, dhe në Lindjen e Mesme.”
Për të lehtësuar këtë veprimtari, qeveria shqiptare krijoi një zonë të lirë ekonomike që shërbente si pikë tranziti për kontrabandën e cigareve që vinin nga Shtetet e Bashkuara.
Ajo ngriti kompaninë Albtrans, që mendohet se administrohej nga Sigurimi i Shtetit, që siguronte mbarëvajtjen e punës në Shqipëri në shkëmbim të një tarife prej nëntë dollarësh amerikanë për koli. Llogaritet se qeveria shqiptare ka grumbulluar rreth 35 milionë dollarë nëpërmjet kësaj veprimtarie gjatë periudhës 1968–1991.
Këtë qëndrim e përforcon dhe deklarata e një ish-prokurori të antimafias italiane se ‘bosë mafiozë si Raffaelo Cutolo (kreu i Nuova Camorra Organizzata – Kamorrës së Re të Organizuar) arritën të kuptonin se kontrolli i shtetit pas Perdes së Hekurt ishte strikt vetën për çështje politike, por nuk përbënte ndonjë pengesë serioze për trafiqe të paligjshme, duke përfshirë edhe cigaret.’
Kështu bandat italiane, që deri në atë kohë e konsideronin detin Adriatik si ‘kufirin blu’ që nuk kalohej, zbuluan një një korridor shumë fitimprurës për të shkuar në lindje të Europës.
Në këmbim të kësaj, Shqipëria siguroi lidhje me rrjete ndërkombëtare, duke bërë tregti dhe duke thithur valutë të huaj. Kjo ishte edhe zanafilla e ‘korridorit ballkanik’ që vazdhon ende të shfrytëzohet nga organizatat mafioze.
Vitet 1992-1996
Në vitin 1992, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i vuri embargo Jugosllavisë dhe kjo i hapi rrugën tregut të zi të vendeve fqinje në në sigurimin e atyre pak mallrave të konsumit që qarkullonin në këto vende.
Kjo e ktheu shumë shpejt Ballkanin në një rrjet ballkanik gjigand të krimit të organizuar:
“Sasi të mëdha nafte kalonin kontrabandë nëpër Liqenin e Shkodrës, nga Shqipëria në Malin e Zi, si dhe nëpërmjet kufirit tokësor të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Në fakt, shkelja e sanksioneve, kufijtë e rinj të krijuar nga prishja e ishJugosllavisë, hapësirat dhe mundësitë e reja për të zhvilluar kontrabandë, sollën pasoja të papritura në zhvillimin e grupeve kriminale, dhe rritjen e ndikimin të tyre në ekonomitë e disa vendeve fqinje.”
Ish-korrespondenti i BBC-së, Misha Glenny, në librin e tij McMafia, shkruante:
“Gjithë kjo orgji lufte dhe konsumizmi do të kishtë faturën e vet… pasi shkelja e sanksioneve arriti të krijonte një rrjet ballkanik gjigand të krimit të organizuar… dhe, nga ana tjetër, mënyra më e lehtë për shtetin për të siguruar fonde ishte nëpërmjet bizneseve mafioze: drogës, armëve, naftës, trafikimit të femrave dhe emigrantëve. Themelet e fabrikës së krimit ishin hedhur tashmë.”
Viti 1997 – Shqiptarët zgjerojnë tregun
Pas zgjedhjeve, në qershor 1997, situata në Shqipëri u stabilizua: u formua një qeveri e re dhe u zgjodh presidenti i ri, të cilët nisën të godasin bandat e narko-trafikut. Në vitin 2000 qeveria shqiptare raportoi se kishte ngritur akuza për 23 grupe kriminale që ishin përfshirë në trafikun e drogës, madje pari dhe arrestime të shumta.
Me situatën jo shumë të mirë në vend, bandat shqiptare nisën eksplorimin e tregjeve të huaja.
Nga viti 2000, një numër i madh shqiptarësh të përfshirë në aktivitete të paligjshme ishin larguar nga vendi, dhe kishin krijuar baza jashtë vendit, veçanërisht në Greqi, Itali, Zvicër dhe Gjermani.
Që nga viti 2001, grupe kriminale shqipfolëse (duke përfshirë edhe grupe nga Kosova, dhe Maqedonia e Veriut) ishin përfshirë në trafikimin e heroinës në disa shtete evropiane, si në Republikën Çeke, Belgjikë, Greqi, Austri, dhe Zvicër.
Nga 2001-shi, Shqipëria u bë edhe vend origjine për kanabisin e shitur në Evropë pas mbjelljeve masive të kanabisit në vend gjatë viteve 90.
Grupet kriminale shqiptare u përfshinë edhe në trafikimin e qenieve njerëzore në Belgjikë, Francë, Itali dhe në Mbretërinë e Bashkuar, por ata ishin veçanërisht aktivë në Itali, ku punonin krah për krah me mafian italiane.
Disa nga këto bashkëpunime do të krijonin themelet për krijimin e rrjeteve të mëvonshme të trafikimit të drogës që vazhdon deri sot.
Nga viti 2005, ata nisën të trafikonin heroinë në vendet nordike, kryesisht në Suedi. Itinerari i zakonshëm ishte blerja e heroinës nga organizata kriminale turke dhe transportimi i drogës drejt Evropës perëndimore, veçanërisht nëpërmjet Hungarisë.
Brenda një kohe të shkurtër, disa grupe shqiptare ngjitën shkallët e krimit, dhe nuk punonin më si ushtarë të organizatave më të forta kriminale (turke dhe italiane), dhe u transformuan në faktorë të rëndësishëm në fushën e trafikut të drogës, emigracionit të paligjshëm, dhe trafikimit të qenieve njerëzore në disa vende të Evropës.