Laura Kovesi do të jetë kryeprokurorja e parë në historinë e Bashkimit Evropian për një mandat 7-vjeçar.
Vendimi i përbashkët i Presidentit të Parlamentit Evropian David Sassoli dhe i kryetarëve të grupeve parlamentare u botua sot në faqen online të PE-së.
Kovesi ka qenë kryeprokurorja speciale kundër korrupsionit në Rumani. Kandidatura e saj u kundërshtua ashpër nga qeveria rumune, por në shtator pjesa dërrmuese e vendeve pjesëmarrëse në nismën për një prokuror evropian votuan për Kovesin. Ajo konkurronte kundër francezit Zhan-Fransua Bohner dhe gjermanit Andre Ritter.
Zgjedhja e kryeprokurorit evropian kërkonte dakordësinë e Parlamentit dhe të Këshillit Evropian.
Në shkurt, votimet e ndryshme në Këshill dhe në Parlament krijuan një ngërç në përzgjedhjen e kryeprokurorit.
Krijimi i Zyrës Evropiane të Prokurorit Publik (EPPO) u vendos në vitin 2017, nëpërmjet një bashkëpunimi mes 22 nga 28 vendet anëtare të BE-së. Ajo pritet të nisë punën në fund të vitit 2020 dhe selia e saj do të jetë në Luksemburg.
EPPO do të jetë zyra e parë e prokurorit në nivel evropian, që do të mbulojë kryesisht çështje të keqpërdorimit të fondeve të BE-së, korrupsionit, pastrimit të parasë, mashtrimit dhe shmangies së taksave. Aktualisht këto krime hetohen vetëm në nivel kombëtar në secilin vend të BE-së.
Kovesi drejtoi Drejtorinë Kombëtare Anti-Korrupsion në Rumani për pak më tepër se 5 vite (2012–2018). Në drejtimin e saj prokurorët hetuan dhe gjykuan dhjetëra kryetarë bashkish, dhjetëra deputetë e ish-ministra, një ish-kryeministër, si dhe qindra ish prokurorë dhe gjyqtarë.