Rusia njofton se ka shpikur vaksinën kundër Covid-19, nis vaksinimet së shpejti

Nga Exit News
Rusia njofton se ka shpikur vaksinën kundër Covid-19, nis vaksinimet së shpejti

Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi të martën se Rusia ka gati një vaksinë kundër Covid-19, të zhvilluar nga Instituti Gamaleya në Moskë.

Putin tha se njëra nga vajzat e tij tashmë është vaksinuar, dhe se është në gjendje të mirë shëndetësore.

Zyrtarët e lartë rusë premtuan se do të vaksinojnë miliona njerëz, përfshirë mësues dhe punonjës të kujdesit shëndetësor, me fillimin e prodhimit të vaksinës të koronavirusit këtë muaj.

Ekspertët ndërkombëtarë shprehën shqetësim pas këtyre deklaratave, për shkak të shpejtësisë së aprovimit të vaksinës dhe mungesës së testimeve në grupe të mëdha njerëzish.

Vaksina ruse deri më tani është testuar në grupe të vogla, të hershme klinike, të dizajnuara për të gjetur dozën e duhur. Ajo iu injektua ekspertëve që e zhvilluan atë, në atë që quhet vetë-eksperimentim dhe që është metodë e pazakontë në shkencën moderne.

Po ashtu vaksina u testua tek 50 anëtarë të ushtrisë ruse dhe një grup i vogël vullnetarësh të tjerë.

Kirill Dmitriev, kreu i Fondit Rus të Investimeve Direkte, tha javën e kaluar se Rusia do të vazhdojë përpara me Fazën III për vaksinën Gamaleya, pasi të regjistrohet nga Ministria e Shëndetësisë e vendit.

“Ne do të kemi dhjetëra mijëra njerëz tashmë të vaksinuar në gusht,” tha Dmitriev, duke lajmëruar fillimin e vaksinimit të popullsisë, veçanërisht grupeve më të rrezikuara si mjekët e mësuesit.

Organizata Botërore e Shëndetit ende rendit vaksinën Gamaleya si në Fazën I të testimeve në laborator.

Pyetur në lidhje me zhvillimet e vaksinave të Rusisë, zëdhënësi i OBSH-së Christian Lindmeier u tha gazetarëve në Gjenevë javën e kaluar se çdo vaksinë duhet të kalojë “nëpër të gjitha provat dhe testet e ndryshme para se të licencohet për të shkuar tek qytetarët, pasi mes të pasurit një të dhënë se një vaksinë funksionon, dhe të kesh kaluar të gjitha fazat e testimit, është një ndryshim i madh. ”

Por zyrtarët rusë nuk ndalen, ata kanë thënë se një vaksinë e dytë nga qendra shtetërore e kërkimit në Siberi, Vektori, nuk është shumë larg zbulimit.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>