Sa shkolla do të ndërtohen në Tiranë?

Sa shkolla do të ndërtohen në Tiranë?

Kryebashkiaku i Tiranës Erion  Veliaj lajmëroi dje qytetarët se në Tiranë do të ndërtohen 30 shkolla të reja. Gjatë një takimi elektoral me banorët e Kasharit, Zoti Veliaj deklaroi:

“Qeveria shqiptare, kryeministri ynë Edi Rama sapo aprovoi projektin e bashkëfinancimit me Bashkinë e Tiranës për 30 shkolla të reja, nga të cilat dy 9-vjeçare dhe një e mesme do ndërtohen në zonën Kashar-Yzberisht-Kombinat.”

Duket se në mungesë të transparencës mbi masterplanin e përfunduar të Tiranës, mungesës së planeve realiste dhe për shkak të fushatës zgjedhore, Zoti Veliaj po ndryshon deklaratat e tij të mëparshme.

Gjatë muajve të fundit, Zoti Veliaj ka deklaruar më shumë se një herë se në Tiranë do të ndërtohen 20 shkolla të reja dhe jo 30 sa pohoi sot.

13 shtator 2016, në ditën e parë të shkollës, Zoti Veliaj deklaroi:

“Brenda këtij mandate do të kemi 20 shkolla dhe më në fund të heqim nga fjalori çështjen e shkollave me dy turne.”

Më 16 tetor 2016, gjatë inaugurimit të rikonstruktimit të rrugës Ali Demi, ai deklaroi:

“Shumë shpejtë do të fillojmë projektin e 20 shkollave të reja në gjithë Tiranën.”

Më 7 mars 2017, duke i uruar mësuesve festën e tyre, Zoti Veliaj u shpreh:

“Do të ndërtojmë në gjithë Tiranën 20 shkolla.”

Pavarësisht numrit, mënyra e financimit dhe ndërtimit të këtyre shkollave me anë të Partneritetit Publik Privat do të jetë një problem më vete.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>