Salih Mustafa, ish-udhëheqësi i UÇK-së i quajti Dhomave të Specializuara si Gestapo, gjatë seancës së parë të gjyqit ndaj tij në Hagë, të mërkurën.
“Nuk ndihem fajtor për asnjë akuzë të zyrës së Gestapos”, ka thënë Mustafa.
Pas kësaj, gjykatësja e njoftoi me të drejtat që gëzon, por edhe ia tërhoqi vërejtjen.
Ndërkaq Prokuroria ka thënë se kjo gjykatë është e Kosovës dhe për të mirën e Kosovës dhe viktimave. Ai ka thënë se “jemi këtu me ndihmën e popullit të Kosovës”.
Prokurori Jack Smith ka thënë se “viktimat e Mustafës janë shqiptarë të Kosovës”.
Nga Prokuroria kanë thënë se Mustafa akuzohet për krime ndaj shqiptarëve. Sipas prokurorit Cezary Michalzuk, “krimet janë kryer për tri javë, në një qendër të improvizuar paraburgimi në Zllash”.
“Provat do të tregojnë se personat që u mbajtën paligjshëm në Zllash akuzoheshin se ishin bashkëpunëtorë apo kolaboracionist në luftë. Termi bashkëpunëtor keqpërdorej për persona që kishin shoqëri me serbët, kishin biznes ata apo thjesht që nuk e përkrahnin mjaftueshëm UÇK-në. Do të dëgjoni dëshmi të vetë atyre që u ndaluan. Do të dëgjoni për lëndimet që pësuan… Salih Mustafa ishte përgjegjësi në qendrën e ndalimit, dhe vetë mori pjesë në keqtrajtimet dhe rrahjet”, ka thënë ai.
“Viktimat do të ju tregojnë vetë për marrjen në pyetje dhe rrahjet. Ju do të dëgjoni për sjelljet ndaj tyre që shkon deri në nivelin e torturës. Viktimat do të dëshmojnë se mund të dëgjonin kur të tjerët rriheshin. Kur viktimat u liruan nga Zllashi më 19 prill 1999. Njëri nga viktimat nuk u lirua dhe nuk u pa kurrë i gjallë, e me pas u gjet i vdekur në një varrezë të cekët nga familjarët. Trupat e të ndaluarve kishin shenja të dukshme të keqtrajtimit. Krimet janë kryer nga i akuzuari dhe vartësit e tij, në një kompleks të kontrolluar, izoluar, të vogël në Zllash. Ne do të ju kthemi sërish i nderuar gjykatës për ta deklaruar të akuzuarin fajtor”, thuhet në akuzën e Prokurori Michalzuk.