Sekretari belg i azilit: Shqiptarë, mos aplikoni për azil, nuk do t’ju pranojmë

Sekretari belg i azilit: Shqiptarë, mos aplikoni për azil, nuk do t’ju pranojmë

“Belgjika nuk është vend i “arit” ” ku mund të gjeni gjërat që  të kërkoni, prandaj mos ejani në Belgjikë për të kërkuar azil pasi nuk do ta merrni atë”.

Kjo ishte deklarata e drejtëpërdrejtë që Sekretari për Azil dhe Migracion në Belgjikë Theo Francken, bëri sot në Tiranë, pas një takimi me Ministrin e Brendshëm Xhafaj.

Duke u shprehur qartë se shqiptarët nuk mund të fitojnë të drejtën për azil në Belgjikë, sekretari Francken u shpreh:

“Qytetarë shqiptarë, ne kemi bërë gati një sistem që e sjell vendimin për kërkesat për azil shumë shpejt. Kjo do të thotë që brenda pak javësh ne arrijmë në një vendim.

Dhe më lejoni të jem fare i qartë. Vendimi për azilkërkim ka për të qenë negativ.

Ai do të shoqërohet me një urdhër të menjëhershëm largimi nga territori i Belgjikës, si dhe me një urdhër, i cili ju ndalon hyrjen në të gjithë zonën Shengen.”

Sekretari Francken theksoi se mëgjithëse Shqipëria është vend i sigurtë origjine, shqiptarët rendeten mes 5 nënshtetësive të para që kërkojnë azil në Belgjikë:

“Për ne Shqipëria është një vend i sigurt që do të thotë që qytetarëve shqiptarë nuk u jepet azil në Belgjikë.

Mos ejani në Belgjikë për të kërkuar azil pasi nuk do ta merrni atë. Shqipëria qëndron në 5 vendet e para për kërkesa të azilit në Belgjikë. Siria, Afganistani dhe Shqipëria. Kjo nuk ka kuptim.

Ne i japim azil shtetasve nga Siria. Ne nuk i japim azil shtetasve që vijnë nga Shqipëria. Ky nuk është një vend në luftë.”

Vetëm gjatë vitit 2017, sipas sekretarit belg, 678 shqiptarë janë kthyer mbrapsht nga Belgjika.

Theo Francken njoftoi se në bashkëpunim me Holandë, ka nisur një fushatë informimi, që konsiston në fletë-palosje që I jepen qytetarëve shqiptarë në aeroport, ku sqarohet qartë se aplikimet e shqiptarëve për azil në këto vende nuk do të pranohen.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>