Serbët i quajnë ‘histerike’ reagimet e Kosovës për deklaratën e Vuçiç

Nga Exit News
Serbët i quajnë ‘histerike’ reagimet e Kosovës për deklaratën e Vuçiç

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i cilësoi si “histerike” reagimet e autoriteteve të Kosovës ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandwr Vuçiç, i cili tha se në Kosovë mund të ketë konflikt nëse përpjekjet për paqe dështojnë.

Vuçiç tha se zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut, në të kundërtën, sipas tij, mund të ndodhë ndonjë konflikt i llojit të Nagorno Karabakut.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani i kwrkoi Bashkimit Evropian dhe NATO-s të reagojë ndaj “kërcënimit” të Vuçiçit për “luftë të dhunshme”.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se deklarimet e presidentit të Serbisë nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Kosova nuk është as Nagorno Karabak, as konflikt i ngrirë”, tha në anën tjetër Ministria e Jashtme e Kosovës, duke shtuar se “krahasimet e qëllimshme të Vuçiqit tregojnë qartazi qëllimin për destabilizim dhe krijimin e tensioneve të reja në rajonin e Ballkanit”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se mesazhi kryesor i Vuçiçit sot ka qenë se, për Serbinë dhe popullin serb, “paqja është më e rëndësishmja”.

“Nëse përfaqësuesit shqiptarë në Prishtinë janë njësoj të interesuar për paqe, ata duhet ta mirëpresin dhe mbështesin një angazhim të tillë nga Beogradi”, tha Petkoviq.

“Serbia dhe presidenti i saj konfirmojnë vazhdimisht, edhe me fjalë, edhe me vepra, se ne jemi garantuesi më i fortë i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe këtë e kuptojnë dhe e mbështesin të gjithë faktorët relevantë nga bashkësia ndërkombëtare”, tha Petkoviç.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>