Ministrja e Arsimit Besa Shahini i quajti protestat dhe shqetësimet e maturantëve për provimin e Gjuhë-Letërsisë të “një stër-politizim të skajshëm dhe të tmerrshëm”.
Në një video mesazh drejtuar maturantëve, ajo nuk sqaroi qendrimin e Ministrisë ndaj kërkesave të tyre por sulmoi protestat si të politizuar.
Madje, ministrja Shahini u shpreh se vetë ajo në protestë kishte parë studentët të vitit të fundit universitet, pjesë e strukturave të partive politike.
“Me sa pashë të premten para Ministrisë, kishte studentë të vitit të fundit në universitet, pjesë e strukturave të partive opozitare, të cilët e kanë bërë Maturën Shtetërore para 7-8 viteve, shumë para se të futej në funksion kurrikula e re.
Kam parë gjithashtu dje që para Ministrisë kishte dalë një burrë, i cili kishte sharë e ofenduar duke përdorur fjalët më të këqija të mundshme. Unë jam e bindur që maturantët tanë nuk identifikohen me këta persona”, tha ajo.
I vetmi sqarim që dha Zonja Shahini për maturantët ishte se testi ishte hartuar sipas modelit të PISA-së dhe kërkesat e tyre do të vlerësoheshin nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.
Maturantët prej disa ditësh protestojnë para Ministrisë së Arsimit. Ata i ndërprenë sot protestat për tu rikthyer sërish pas provimit të matematikës.
Nxënësit i shprehet se testi nuk ishte në përputhje me temat e dhëna nga mësuesit për përgatitje.