Ambasada amerikane në Tiranë dënoi të mërkurën ngjarjen e ndodhur në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.
“Kemi ndjekur raportimet për dhunën në Elbasan sot, e cila përfundoi në vdekjen e një personi dhe plagosjen e të tjerëve”, shprehet ambasada amerikane përmes një njoftimi.
SHBA u bëri thirrje organeve ligjzbatuese të hetojnë ngjarjen sa më shpejt.
“Të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit”, shtoi ambasada.
Ambasadorja Kim i ka kërkuar presidentit Meta, kryeministrit Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe “të udhëheqin në të njëjtën mënyrë ndërsa çështja është duke u hetuar”.
“Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën,” thuhet në njoftim..
Arbër Paplekaj, ish-efektiv i RENEA-s i cili qëlloi mbi Xhuvanin, u vetëdorëzua në polici.
Paplekaj, autori i vrasjes, ishte shoqëruesi i drejtuesit politik të Elbasanit Gazmend Bardhi.