
Zëri i Amerikës (VOA) raporton se Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Thaçi e Vuçiç po zhvillojnë sot një takim në Shtëpinë e Bardhë.
Mbetet i paqartë formati i takimit, por më herët qe paralajmëruar që Presidenti Vuçic do të pritej nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien.
Vuçiç e Thaçi ndodhen në SHBA në vizita të ndara gjatë të cilave zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që të dyja palët të ndërmarrin veprime që sigurojnë rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Javët e fundit SHBA-të kanë ushtruar presion të vazhdueshëm që Kosova të heqë taksën e vendosur prej 2 vitesh ndaj mallrave serbe. Nga ana tjetër, Richard Grenell, përfaqësuesi i Presidentit Tramp për dialogun, i ka kërkuar Serbisë ndërprerjen e fushatës kundër njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.