Shtetet e Bashkuara të Amerikës regjistruan në fundjavë rastin e parë zyrtar të infektimit me Covid-19 të një kafshe nga njeriu.
Kopshti zoologjik i Bronksit në Nju Jork njoftoi se një tigër i saj ishte diagnostikuar me Covid-19.
Tigri malajzian i gjinisë femër, me emrin Nadia, mendohet të jetë infektuar nga një punonjës pa simptoma në kopshtin zoologjik.
Përveç Nadias edhe 3 tigra e 3 luanë të tjerë kanë shfaqur shenja të sëmundjes së Covid-19.
Punonjësit e kpshtit kishin vënë re mungesë oreksi dhe kollitje të vazhdueshme që në fundin e muajit të shkuar.
“Kjo është hera e parë që dokumentohet rasti i infektimit të një kafshe nga një person dhe që kafsha të jetë sëmurur” – u shpreh Paul Calle, veterineri i kopshtit zoologjik.
Deri më sot në botë ka pasur raste të izoluara të infektimit të kafshëve me Covid-19, por ekspertët theksojnë se nuk ka ende të dhëna të mjaftueshme për të nxjerrë si përfundim se ato mund të sëmuren dhe ta përhapin infeksionin.
Në një deklaratë për shtyp Kopshti Zoologjik i Bronksit është shprehur se testimi i Nadias është kryer në kujdes të shtuar për të minimizuar çdo lloj rreziku.
Nuk është e qartë nëse edhe kafshëve të tjera do t’u bëhen teste, por veterinerët i kanë ndarë nga njëra-tjetra dhe janë duke i mbajtur nën kujdes mjekësor në mënyrë që ato ta tejkalojnë sëmundjen.