Një grup organizatash amerikane që mbrojnë shtypin e lirë dhe lirinë e shprehjes, kanë paditur Presidentin Donald Trump në gjykatën federale për sulmet e tij ndaj gazetarëve dhe përdorimin e fuqisë së zyrës presidenciale për të kërcënuar dhe shtypur gazetarët.
PEN America, një organizatë e shkrimtarëve që mbron shprehjen e lirë, së bashku me organizatën jofitimprurëse Mbrojtja e Demokracisë dhe Organizata për Lirinë dhe Informimin e Medias së Universitetit Yale janë bërë së bashku për t’i kërkuar gjykatës një urdhër që e detyron presidentin Trump të mos përdorë pushtetin e zyrës së tij për të ndëshkuar gazetarët.
Sipas organizatave, kërcënimet e shpeshta të Presidentit Donald Trump dhe veprimet armiqësore ndaj gazetarëve dhe medias nuk janë vetëm ofenduese dhe të papërshtatshme për një udhëheqës të një vendi demokratik; ato janë gjithashtu të paligjshme.
Presidenti ka të drejtën e fjalës së lirë, ashtu si të tjerët, dhe mund ta konsiderojë median si “armikun e popullit amerikan” dhe t’i etiketojë raportet e sakta si “lajme të rreme”. Këto të gjitha janë të lejuara sipas Amendamentit të Parë të Kushtetutës Amerikanë.
Por, neni i Kushtetutës amerikane mbi lirinë e besimit dhe të shprehjes nuk mbron të gjitha llojet e deklaratave. Presidenti mund të fyej verbalish shtypin, por ai nuk mund të përdorë pushtetin e zyrës së tij për të shtypur ose për të ndëshkuar komentet që nuk i pëlqejnë. Kur Presidenti Trump propozon ndëshkimin nga qeveria për gazetarët, deklaratat e tij e kalojnë kufirin ligjor.
Për një situatë të ngjashme, në vitin 2015, një vendim gjyqësor nga gjykatësi Richard Posner bën të qartë se: “një zyrtar publik që përpiqet të ndalojë një rrugë të shprehjes së ideve dhe mendimeve nëpërmjet imponimit ose kërcënimit se do të përdorë pushtetin e qeverisë, është shkelje e Amendamentit të Parë.”
Një tjetër vendim i vitit 2003 konstaton se neni i kushtetutës për lirinë e fjalës dhe mendimit shkelet kur deklaratat e një zyrtari “mund të interpretohen në mënyrë të arsyeshme se një dënim ose veprimi rregullator do të merret nëse përsoni nuk i nënshtrohet kërkesës së zyrtarit “
Në mënyrë të përsëritur, Presidenti Trump ka kryer të gjitha shkeljet e e mësipërme, të vlerësuara të paligjshme nga dy gjykata tëSHBA-ve.
Pas sulmit të vazhdueshëm ndaj rrjetit të lajmeve CNN, duke e akuzuar atë për lajme të rreme, me fjalëtr “plehrë” dhe “skandaloze”, Trump u zotua personalisht se do të bllokonte bashkimin e kompanisë meme të CNN, Time Warner me kompaninë AT & T, një tjetër kompani amerikane. Administrata Trump e kundërshtoi këtë marrëveshje, megjithëse ky ishte një bashkim kompanish, që në kushte normale nuk do të kërkonte shqyrtim dhe hetim për shkelje të ligjit anti-kartel.
Trump gjithashtu ka sulmuar në mënyrë të përsëritur gazetën Washington Post. Presidenti Trump ka kërcënuar direkt pronarin e Washington Post Jeff Bezzos. Ai e ka kërcënuar Jeff Bezzos se do të sulmojë kompaninë kryesore të tij Amazon, platforma më e madhe në SHBA për blerje online. Në pranverën e 2018-ës, presidenti e mbajti fjalën e tij dhe i kërkoi Shërbimit Postar që të rishikonte tarifat e Amazon, për postën.
Sulmet e Presidentit Trump kundër shtypit janë tashmë rutinë, por sipas organizatave në mbrojtje të së drejtës së shprehjes, nuk ka përse shkeljet që presidenti Trump po i bën Amendamentit të Parë të Kushtetutës, të kalojnë pa u ndëshkuar, ndaj është detyrë e atyre që punojnë për lirinë e shprehjes, që të ngrihen dhe ta mbrojnë atë.