Shehaj: Qeveria rrit me 35 milionë euro koston e koncesionit të laboratorëve

Nga Gerard Gega
Shehaj: Qeveria rrit me 35 milionë euro koston e koncesionit të laboratorëve

Qeveria shtoi koston e koncesionit të laboratorëve nga 66 milionë në mbi 100 milionë euro pa treguar transparencë dhe në shkelje të ligjit. Ky rast është denoncuar nga ish-deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj.

një postim në Facebook, Zoti Shehaj tregoi se qeveria kishte përfshirë në projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm pagesa më të mëdha se sa ishin deklaruar në momentin kur u vendos koncesioni.

“Draftbuxheti i vitit 2020 zbulon se qeveria do të paguajë 12,8 miliardë lekë për koncesionin e laboratorëve. Oferta e deklaruar fituese në tender nga qeveria ishte 9 miliardë (66 milionë euro) […] por pa asnjë shpjegim dhe në mënyrë krejtësisht jo-transparente, vlera në draftbuxhetin e vitit 2020 shkon në 13 miliardë lekë, pra 4 miliardë më shumë (gati 35 milionë euro) pa dhënë asnjë shpjegim dhe në shkelje të ligjit.”

Koncesioni i laboratorëve është koncesioni i katërt më i madh në shëndetësi. Ai u miratua në prill të këtij viti. Koncesioni parashikon dhënien për 10 vitet e ardhshme të shërbimit të analizave të 5 spitaleve publike kompanive private.

Fitues u shpall bashkimi i kompanive Labopharma, Ab Laboratory Solutions dhe Exalab. Kompania Ab Laboratory e regjistruar në Holandë rezultoi se kishte probleme me pronësinë. Sipas Top-Channel “përfaqësohej nga persona fiktivë”. Kjo e bllokoi koncesionin prej rreth 2 vitesh nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), e cila kishte shërbyer si konsulente ligjore e procedurave të koncesionit.

Sipas ish-deputetit demokrat Shehaj ky koncesion “është afire korruptive, jo vetëm prej rritjes së vlerës, por edhe për faktin se kompania që e ka fituar (tenderin) është e llojit guackë (off-shore) për të cilën është e pamundur të dihet se kush janë pronarët”. Pjesëmarrja e kompanive guackë në tendera publikë cilësohet nga Zoti Shehaj si “tregues i qartë i vjedhjes së parave publike nga qeveria shqiptare”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>