Ish-deputeti Agron Shehaj i është kundërpërgjigjur kryeministri Rama, i cili sot hodhi poshtë akuzat e opozitës se ai ka gënjyer shqiptarët duke i premtuar një paketë të tretë ndihme financiare në fund të majit, të cilën nuk e miratoi kurrë.
Shehaj akuzoi Ramën se duke mos miratuar paketën e tretë që premtoi, ka braktisur qytetarët e varfër shqiptarë në mesin e pandemisë:
“Mungesa e një pakete të tretë është tragjike për mijëra familje shqiptare.
Mungesa e një paketë të tretë është braktisje e njerëzve në varfëri me pasoja për jetët dhe të ardhmen e tyre.”
Duke theksuar shkëputjen e Ramës nga realiteti shqiptar, ish-deputeti i kujtoi kryeministrit aferën e Unazës së Madhe, ku kostoja e ndërtimit të rrugës shkonte sa 10-fishi i kostos së ndërtimit në vendet më të zhvilluara dhe udhëtimet me charter të Ramës, në kohën kur qytetarët e varfër u lanë pa ndihma:
“Rama ka thënë me zë dhe figurë se qeveria ishte gati për një paketë të tretë. Por vendosi të mos bëjë një pakete të tretë.
Njeriu që rrugët i ndërton me koston e dhjetë herë më shumë se rrugët në Amerikë dhe Evropën Perëndimore, gjykoi që të papunët shqiptarë meritojnë një të njëqindtën e asaj që meritojnë të papunët në Amerikë dhe Evropë.
Kryeministri i lluksit rrugët i shet sikur të jenë prej floriri, por për të varfërit nuk jep as krunde.
Kryeministri që udhëton me charter 100 mijë euro në Paris, qytetarët e tij i lë në mes të rrugës. Kryeminsitri i oligarkëve që me ta vjedh paratë dhe Shqipërinë, për të pamundurit nuk jep as mëshirë.”
Paraditen e së enjtes Kryeministri Rama hodhi poshtë akuzat e PD-së duke deklaruar se paketë të tretë ekonomike do të miratonte duke parë dinamikën e përhapjes së Covid-19 në vend dhe masat kufizuese. Meqë pjesa më e madhe e bizneseve u hap në mes të majit, qeveria nuk e pa të arsyeshme miratimin e një pakete tjetër ndihme.