Sheshi Skënderbej, inagurohet fundi i identitetit të Tiranës

Sheshi Skënderbej, inagurohet fundi i identitetit të Tiranës

Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj njoftoi dje se sheshi “Skënderbej” do të inagurohet me datë 10 qershor. Gjatë një takimi me qytetarë në parkun e Liqenit, ku ishte i pranishëm dhe Kryeministri Rama, Zoti Veliaj sqaroi:

“Sheshi ka dalë shumë bukur. Këtë javë do të testojmë shatërvanët, të shikojmë sa mirë funksionojnë. Kemi mbjellë shumë pëmë rreth e rrotull, do të ketë një pjesë me hije me pemë, një pjesë e kemi mbjellë vetëm me ullinj, një pjesë me pemë frutore. Është vend fantastik nëse keni biçikleta, patina. Është e pjerrët dhe po të hipësh në majë, më pas mund të rrëshkasësh.”

Projekti fillestar 

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi në dhjetor 2015 se së shpejti do të nisnin punimet për zbatimi e projektit të ish kryebashkiakut Rama për Sheshin Skënderbej. Projekti i miratuar në vitin 2008 është hartuar nga studioja belge 51N4E dhe Anri Sala, një nga miqtë më të afërt të Kryeministrit Rama.

Sipas projektit Sheshi Skëndërbej do të kthehej në një hapësirë vetëm për kalimtarë. Në të parashikohej ndërtimi i një piramide gjigande, por të ulët, që fillon ngritjen e ngadaltë nga anët e sheshit drejt qendrës së tij, ku do të arrijë lartësinë 1,5 m. Për të zbutur masën gjigande të betonit, në disa vende të sheshit do të mbillen pemë gjelbëruese në lulishte të ndryshme.

41 mijë m² sipërfaqe që aktualisht është shesh dhe trotuare do të shtroheshin me gurë natyralë me trashësi 10-12 centimetra. Këto gurë do të merreshin nga të gjitha krahinat shqiptare

Asnjë projekt arkitekturor dhe komponentët e projektit nuk u bënë publik për qytetarët, përveç disa imazheve kompjuterike. Kjo ndoshta dhe për faktin se projekti do të pësonte disa ndryshime me kalimin e kohës.

Render i Sheshit Skënderbej, publikuar në vitin 2016

Parkimi nëntokësor 

Kështu, në gusht 2016, në mënyrë të beftë Kryeministri Rama “njoftoi” me Facebook se në Sheshin Skënderbej do të ndërtohej edhe një parkim i madh nëntokësor. Njoftimin prej disa fjalësh, ai e shoqëroi me disa foto render të parkimit, dukshëm të zbukuruara pasi ndër të tjera paraqisnin pemë nëntokësore.

Imazhi nga 51N4E

Kulla 111 metra e lartë

Në shtator 2016, Bashkia Tiranë filloi rrethimin e Sheshit Skënderbej për të nisur punimet për rindërtimin e tij. E gjithë sipërfaqja u rrethua me rendera të printuar që shfaqnin se si do të ndryshonte sheshi.

Rrethimi i Sheshit Skënderbej

Në asnjë prej fotove nuk tregohej një tjetër “ndryshim” që do të ndodhë në sheshin “Skënderbej”: ndërtimi i një kulle 111 metra të lartë në krah të Hotel Tiranës.

Kulla 111 metra e lartë që do të ndërtohet pas Hotel Tirana

Projekt-kulla në krah të Hotel Tiranës përforcon idenë se Kryeministri Rama ka vendosur që, në mënyrë arbitrare dhe të paligjshme, të çojë përpara idetë e planit francez.

Plani francez parashihte 10 kulla të larta—mbi 81 metra secila, afërsisht 20-25 katëshe—të cilat do të vendoseshin përqark Sheshit Skënderbej dhe anash aksit të Bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Render nga plani francez për qendrën e Tiranës me kullat e larta anash Sheshit Skënderbej

Plani francez u miratua në vitin 2010, por zbatimi i tij u ndërpre nga humbja e bashkisë nga Zoti Rama. Pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, Zoti Rama ka rinisur përpjekjet për ndërtimin e kullave të larta që kishte dëshiruar që në krye të herës.

Kompania ndërtuese

I gjithë rikualifikimi i Sheshit Skënderbej, përfshirë dhe ndërtimi i parkimit nëntokësor, është kryer nga kompania Fusha shpk dhe ka kushtuar rreth 12,6 milionë euro.

Ky projekt është kthyer tashmë në një nga ndërhyrjet më të kushtueshme arkitektonike në qytet. Kjo ka ndodhur dhe për faktin se e njëjta kompani është shpallur fituese në tre tendera (dy për rikualifikimin e sheshit dhe një për parkimin nëntokësor) duke paraqitur ofertën pothuaj të njëjtë me fondin maksimal të vënë nga buxheti i shtetit.

Identiteti i Tiranës

Inagurimi i këtij projekti është vetëm një nga disa projektet që Zoti Rama ka vendosur të zbatojë përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit, nga Sheshi Skënderbej tek Sheshi Nënë Tereza —të cilat do ta ndryshojnë qendrën e Tiranës rrënjësisht. Karakteri dhe identiteti i saj i dikurshëm do të humbasë, duke u zëvendësuar apo plotësuar me vizionin dhe shijet e Kryeministrit Edi Rama për qendrën e Tiranës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>