Shkelet kontrata e Masterplanit Tirana 2030, ministrja Gjermeni indiferente

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Shkelet kontrata e Masterplanit Tirana 2030, ministrja Gjermeni indiferente

Në përgjigje të kërkesës për informacion, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmin i ka dhënë Exit.al, kontratën zyrtare të nënshkruar mes ministres Gjermeni dhe konsorciumit të kompanive që hartuan Masterplanin Tirana 2030. Masterplani i njohur si Plani i Përgjithshëm Vendor ka një vlerë prej rreth 460 mijë eurosh. Përkundër shfaqjes në publik të arkitektit italian Stefano Boeri, dokumentet e masterplanit janë nënshkruar nga drejtuesi i UNLAB Andreas Faoro.

Pjese e kontrates mes UNLAB dhe Ministrise se Zhvillimit Urban – Burimi Exit.al

Edhe pse dokumentacioni i ofruar nga ministria nuk përmban Termat specifikë të Referencës, në të përfshihen disa nga detyrat kryesore të kontraktuesit. Neni 10 i kontratës është më i rëndësishmi:

10.1 Kontraktuesi duhet t’i kryejë shërbimet dhe përmbushi detyrimet e tij me të gjitha përpjekjet, efiçente dhe ekonomike në pajtim me teknikat dhe praktikat profesionale të pranuara në përgjithësi.

Me fjalë të tjera, kontraktuesi është i detyruar me kontratë të ofrojë punë cilësore.

Le të marrim disa shembuj nga nenet e kontratës për të treguar se UNLAB dhe Stefano Boeri nuk kanë ofruar punime cilësore.

Rritja e popullsisë

Masterplani përmban tre shifra të ndryshme për parashikimin e popullsisë së Tiranës në vitin 2031. Më i spikaturi është numri 1,6 milionë banorë, përmendur në faqen 94 të raportit. Megjithatë në faqen 414, raporti jep të dhëna zyrtare nga INSTAT, që parashikon një popullsi prej 724,167 mijë banorë në Tiranë. Më pas në faqen 415, autorët e raportit sygjerojnë numrin 700 mijë banorë. Duke pasur parasysh se parashikimi i rritjes së popullsisë është një nga shifrat më të rëndësishme të planifikimit urban të një qyteti, është e papranueshme që në të njëjtin raport të ketë shifra kontradiktore me njëra tjetrën.

Masterplani Tirana 2030, faqe 94

Përdorimi i ujit

Raporti ka mangësi në disa të dhëna të rëndësishme, si për shembull përdorimi i ujit në Tiranë.

“ Tirana për momentin i shërben popullatës nëpërmjet tubave dhe duke arritur xx% të popullsisë.” Dhe “ Tirana aktualisht ka humbur xx% nga uji i tij për shkak të rrjedhjeve”

Dy janë mundësitë: ose këto të dhëna nuk ishin në dispozicion të hartuesve të raporit, ose të dhënat nuk u përfshinë në raportin final.

Sërish kjo është një papërgjegjshmëri e papranueshme e autorëve, sidomos po të kemi parasysh se ky masterplan parashikon zhvillimin e qytetit deri në vitin 2030.

Masterplan Tirana 2030, faqe 272
Masterplan Tirana 2030, faqe 273

Buxheti

Së fundi, por dhe fakti më tronditës, shumë nga “projektet strategjike” të propozuara në Masterplanin Tirana 2030 nuk kanë buxhet, por vetëm një “xxx”. Sërish, mosllogaritja e fondeve që do të ndikojnë në buxhetin e bashkisë për 13 vitet e ardhshme, është një papërgjegjshmëri dhe neglizhencë si nga ana e hartuesve të Masterplanit, ashtu dhe nga ana e Ministrisë së Zhvillimit Urban që ka firmosur një plan të mangët.

Masterplan Tirana 2030, faqe 417

Sipas nenit 23(1)b, Ministria lejohet të anulojë kontratën nëse Kontraktuesi dështon në kryerjen e ndonjë prej pjesëve të kontratës.

Mendoj se duket qartë dhe vetëm nga këto pak shembuj që morëm më sipër se kontrata është shkelur.

Neni 25(1) e lejon ministren Gjermeni të anulojë kontratën “në çdo kohë nëse gjykon se ky veprim duhet ndërmarrë për t’i shërbyer interesit publik, si dhe është i mundur.”

Nuk ka dyshim se interesit të publikut do t’i shërbehej nëse kontrata do të anullohej, ose të paktën të kërkohej më shumë përgjegjshmëri nga kontraktuesit.

Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) nuk e ka miratuar ende zyrtarisht Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës (PPV). Më 8 shkurt, KKT miratoi PPV-të e Krujës, Kukësit, Gjirokatrës, Urës Vajgurorë, Skraparit, Poliçanit, Cërrikut, Librazhdit, Kurbinit e Divjakës. Nuk dihet ende se kur do të diskutohen PPV-të e bashkive të tjera, përshirë dhe atë të Tiranës. Ndaj nuk është ende vonë të kërkohet cilësisë për paratë e paguara nga taksat e qytetarëve shqiptarë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>